Prindërit e Martin Canit, 14-vjeçarit që u vra me thikë nga një bashkëmoshatar pas një konflikti, kanë reaguar ashpër ndaj përdorimit të tragjedisë së tyre për justifikimin e mbylljes së rrjetit social TikTok.
Në një deklaratë zyrtare, Engjëll dhe Florina Cani theksojnë se Martini nuk kishte një llogari në TikTok dhe nuk u vra për shkak të këtij rrjeti social. Sipas tyre, djali i tyre u vra nga një mungesë e theksuar e sigurisë në shkolla, neglizhenca e institucioneve dhe një sistem shëndetësor i paaftë për të ndërhyrë në kohë.
Ata e quajnë të papranueshme përpjekjen për të devijuar vëmendjen nga problemet reale dhe theksojnë se do të vazhdojnë betejën për drejtësi për djalin e tyre.
“Ne nuk pranojmë që emri i Martinit të përdoret për të justifikuar vendime politike që nuk adresojnë shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie,” thuhet në deklaratën e familjes, e cila kërkon masa konkrete për rritjen e sigurisë në shkolla dhe forcimin e sistemit arsimor e shëndetësor.
Familja Cani bën thirrje për drejtësi dhe kërkon që emri i djalit të tyre të mos përdoret për interesa politike, por të shërbejë si një apel për ndryshime të vërteta në sistem.
Deklarata e plotë e prindërve:
Familja Cani dënon përdorimin e vrasjes së Martin Canit për qëllime politike!?Ne, familja e Martin Canit, e kemi ndjekur me dhimbje dhe indinjatë të thellë mënyrën se si tragjedia jonë po përdoret për qëllime politike dhe për të justifikuar vendimin e qeverisë për mbylljen e rrjetit social TikTok.
Duam ta themi qartë dhe publikisht: Martini nuk kishte një llogari në TikTok dhe Martini nuk u vra nga TikTok! Martini u vra nga një thikë e drejtuar nga një bashkëmoshatar i tij.?Martini u vra nga një sistem arsimor ku mungojnë masat për sigurinë në shkolla, ku institucionet arsimore dhe ato të rendit nuk marrin masa për të parandaluar dhunën. Ai u vra për shkak se prindërit nuk u njoftuan nga shkolla për incidentin e të premtes, duke mos pasur mundësinë e parandalimit te tragjedisë.
Martini u vra nga një sistem shëndetësor ku urgjenca e dërgon në spitalin më të largët, për shkak të një protokolli absurd, megjithëse QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Martini u vra sepse në Spitalin e Traumës mungon kardiokirurgu si dhe pajisja e specializuar Extracorporeal Circulation Machine për riparimin e zemrës.
Ndërkohë, ajo që po vret Martinin për së dyti është mungesa e drejtësisë dhe papërgjegjshmëria e institucioneve! Drejtësia për Martinin ende nuk është vënë në vend, dhe familja jonë nuk do të ndalet së kërkuari që kjo vrasje të mos kalojë në heshtje.?Ne nuk pranojmë që emri i Martinit të përdoret për të justifikuar vendime politike që nuk kanë të bëjnë me vrasjen e tij. Në vend që të merren masa për rritjen e sigurisë në shkolla, për të forcuar edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve, për të parandaluar raste të tjera tragjike, qeveria po kërkon të zhvendosë vëmendjen dhe të shmangë përgjegjësinë e saj reale.
Ne kërkojmë DREJTËSI PËR MARTININ!?Ne kërkojmë që institucionet të ndalojnë përdorimin e vrasjes së Martinit si një justifikim për vendime që nuk adresojnë shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie!?Martini ishte një djalë i mirë, një futbollist me ëndrra, një fëmijë që meritonte të jetonte. Të mos e vrasim për herë të dytë me hipokrizi dhe manipulime politike.?Familja Cani