Albiona dhe Jeta Xhaferraj, themeluese dhe administratore e brandit Relive It, Relove It, kanë sjellë një risi në industrinë e modës përmes riciklimit të xhinseve, duke i dhënë një jetë të re veshjeve të përdorura. Me një vizion të qartë dhe pasion për qëndrueshmërinë, marka ka ndërtuar një identitet unik në treg prej më shumë se 10 vitesh.

Historia nisi kur Jeta, vetëm 15 vjeç dhe Albiona, vetëm 16 vjeç, eksperimentoi për herë të parë me një palë xhinse të grisura. Ky moment u bë nxitja për të krijuar një biznes që sot vesh figura të njohura ndërkombëtare. Në Itali, Chiara Biazi dhe Chiara Ferragni kanë qenë ndër të parat që kanë veshur krijimet e tyre, duke hapur dyert për një sukses më të madh.

Një markë shqiptare në gardërobën e Chiara Ferragni

Për të veshur Chiara Ferragni, një nga influencueset më të mëdha globale, rrugëtimi nisi me një kontakt përmes një mikeshe shqiptare. Pas disa viteve, në 2022, Ferragni iu përgjigj mesazheve të tyre, duke e pranuar markën si pjesë të stilit të saj.

Për të promovuar një markë, Chiara zakonisht merr një tarifë prej 150,000 euro, por për këtë rast, mbështetja e saj ka qenë e natyrshme dhe e sinqertë dhe pa asnjë pagesë për vajzat shqiptare. Komunikimi me të ka qenë i shpejtë dhe i ngrohtë, ndërsa produktet e brandit shqiptar tashmë janë pjesë e veshjeve të saj. Një moment i veçantë dhe simbolik për industrinë e modës në Ballkan.

Promovimi ndërkombëtar dhe bashkëpunimet strategjike

Brandi ka bashkëpunuar me emra të rëndësishëm si Alketa Vejsiu, ka qenë pjesë e artikujve në Libero Quotidiano, dhe ka zgjeruar praninë e tij përmes strategjive të marketingut me influencues nga Skandinavia dhe SHBA. Komunikimi me markat dhe ambasadorët e mëdhenj të modës, përfshirë Gucci, është zhvilluar përmes kanaleve profesionale, duke sjellë një rritje të jashtëzakonshme të imazhit të markës.

"Relive It, Relove It" nuk është thjesht një markë – është një lëvizje që synon të sjellë një qasje të re në modën e qëndrueshme, duke treguar se talenti shqiptar mund të shkëlqejë edhe në skenën ndërkombëtare.