Nita, bashkëshortja e Feros, ka zgjedhur një rrugë larg showbiz-it, duke ndërtuar një profil profesional që pak veta e njihnin deri tani. Pas martesës së tyre, çifti u bë pjesë e vëmendjes mediatike, teksa Nita është krahasuar në rrjet për ngjashmërinë me Arbenita Ismajlin.

E etiketuar shpesh si “modele”, Nita ka reaguar së fundmi në Instagram duke thënë se modelingu ishte thjesht një kapitull i hershëm i jetës së saj. “Hera e fundit që qëndrova para një kamere ishte në London Fashion Week, kur isha 18 vjeçe. E nisa këtë rrugëtim në moshën 15-vjeçare, por prioritetet e mia kanë ndryshuar me kalimin e kohës,” u shpreh ajo.

Sot, Nita thotë se është në semestrin e fundit të studimeve për Drejtësi në University College Dublin (UCD) dhe ka ndërtuar një karrierë në fushën e diplomacisë dhe drejtësisë. Ajo ka kryer praktika në institucione si firma ligjore Dillon Eustace dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Inspirimi për këtë rrugëtim, siç tregon vetë Nita, ka ardhur nga nëna e saj, një figurë me karrierë të suksesshme diplomatike në Irlandë. “Duke parë punën e nënës sime, mësova të vlerësoj etikën dhe përkushtimin që ajo ka treguar gjithmonë. Kjo më motivoi të ndjek hapat e saj në fushën e diplomacisë,” theksoi ajo.