Gjykata e Posaçme e Apelit, nuk e ndryshoi sot masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, duke lënë në fuqi mbajtjen e tij në arrest me burg. Veliaj dyshohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Për të njejta vepra penale, por dhe “Mosdeklarim të pasurisë”, fillimisht nën masë sigurie “arrest shtëpie” e më pas, “detyrim paraqitje”, është vënë dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

Gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, mbrojtësit e zotit Veliaj kërkuan lirimin e tij, duke deklaruar se nuk plotësohet asnjë kriter ligjor për mbajtjen e tij në burg.

Prokuroria e posaçme këmbënguli që masa e sigurisë të mos ndryshonte, edhe në dritën e provave të reja që sipas saj ishin siguruar gjatë përgjimit të komunikimeve të zotit Veliaj në paraburgim. Por sipas ekipit të tij mbrojtës, përgjimet nuk përfaqësonin asnjë provë të re.

Kryebashkiaku i Tiranës ka akuzuar prokurorin e çështjes Olsi Dado se ka vepruar i nxitur nga interesa personale. Ai i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inpektorit të Lartë të Drejtësisë për të kërkuar nisjen e procedimit disiplinor ndaj Prokurorit Dado dhe pezullimin e tij, duke qenë se po vepron në konflikt interesit./ VOA