Në një botë ku na kërkohet të jemi me këmbë në tokë, dikush që sheh drejt qiellit, është gjëja më shpërblyese dhe më e bukur! Një jetë pa ëndrra është një jetë e çuar dëm…thuhet shpesh.

E ndërsa ëndrrat e fëmijëve janë pakufij, le t’i nxisim ata të mos ju shterrojë kurrë kjo dëshirë për t’a parë jetën edhe përtej asaj që ndodh në realitetin e tyre përreth.

Nëse një fëmijë do të pyetet se çfarë do të bëhesh kur të rritesh, asnjë nuk do të thoshte se do të doja një punë të qëndrueshme e që të më sigurojë një pension të mirë në të ardhmen...
Me pafajësinë dhe euforinë që i karakterizon fëmijët të gjithë do të përgjigjeshin se do dëshironin të ishin astronautë, pilot, super heronj etj.

Askush prej tyre nuk i njeh vështirësitë se për të mbërrirë në hënë është e pamundur sepse ndodhet shumë larg, se të bëhesh një mjek i suksesshëm të duhen shumë vite studime e sakrifica dhe që super heronjtë në fakt nuk ekzistojnë.
Fëmijët ëndërrojnë pa llogari...pa limite.
Ata rriten dhe fillojnë zhgënjimet e para se për të arrirë gjërat e dëshiruara nuk është aq e lehtë dhe që ëndrrat dikush mund t'i thotë se janë të mira vetëm për të bërë një gjumë të ëmbël mbrëmjeve.
Këtu është pikërisht momenti i duhur ku prindërit duhet të përmbushin mrekullitë e vogla: Janë prindërit që duhet të mbajnë gjallë dëshirën dhe ëndrrat e fëmijëve të tyre dhe jo tjua shuajnë kureshtjen.Qofte dhe vet procesi i realizimit të një ëndrre a të diçkaje shumë të dëshiruar, i bën fëmijët më të fortë psikologjikisht dhe të besojnë në aftësitë e tyre. Të ndjekësh një ëndërr e të besosh që t’a mbërrish atë ka shumë përfitime të shëndetshme mendore për psihën e fëmijëve që janë në zhvillim. Ëndrrat nxisin kreativitetin dhe imagjinatën. Një ëndërr mund të shndërrohet në një synim a objektiv i cili i jep një sens orientimi për jetën. Kur një fëmijë ka një ëndërr, është më i prirur të angazhohet. Të zhvillojë kureshtjen dhe i forcon vetbesimin. Të ndjesh se je në gjendje të realizosh diçka të madhe i ndihmon fëmijët të besojnë në veten e tyre dhe kjo ndihmon gjithashtu në ndjesinë e lumturisë dhe të mirëqënies psikologjike.
Fëmija është një revolucion në miniaturë i cili beson se gjithçka mund të realizohet, se dikush mund të shpëtojë botën, mund të shpikë diçka të jashtëzakonshme ose më thjeshtë akoma…ai të ketë mundësinë të bëjë punën që ëndërron!
Në fund të fundit, çdo histori i jashtëzakonshme ka lindur nga dikush që ka besuar në diçka absurde.
E nëse askush nuk do të besonte te absurdi..do të mbeteshim thjeshtë në vend.
Le ti lëmë fëmijët të ëndërrojnë.  Ndoshta astronautë nuk do të bëhen por të besosh se një ditë do të arrish në Hënë, mund t'i ndihmojë ata të fluturojnë lart.