E ke parasysh atë ndjesinë kur je lodhur, je stërmunduar, ke luftuar gjatë…me veten, me ndjenjat, me fatin?

… dhe thjesht… s’ke më fuqi? Aty ku gjithçka që kërkon është pak pushim, një frymëmarrje, një qetësi sado e vogël?

Alban Skënderaj e ka ndierë dhe e ka thënë fiks ashtu siç ndoshta ti nuk ke ditur ta thuash dot kurrë.

Ka një art të rrallë në të qenit i ndjeshëm pa qenë melodramatik. Në të rrëfyerit e dhimbjes pa nevojën për britma. Dhe duke qenë se Albani këtë art e njeh në përsosmëri ka sjellë së fundmi një këngë me titull “Armëpushim” si dëshmia më e bukur e kësaj elegance emocionale.

Ne të gjithë e dimë se ai nuk shkruan. Albani pikturon ndjenja.

Teksti është si një poezi që flet për të gjithë ata që janë lodhur duke kërkuar mirëkuptim, dashuri, fat… por në këmbim kanë marrë veç dhimbje.

Është si një moment introspeksioni. Një ndjenjë që, nëse e ke përjetuar ndonjëherë, do ta ndjesh në çdo notë dhe në çdo fjalë.

“A ka pak kjo jetë vend për ujdi?

Se m’i bëri palë dhimbjet përmbi!”

A nuk të duket si një varg që mund ta gjeje në ndonjë antologji poetike? Është një thirrje e qetë, por e dëshpëruar. Një kërkesë për paqe që tingëllon si një lutje, si një dorë që ngrihet lart, duke kërkuar mëshirë.

Nuk ka fjalë të mëdha, nuk ka drama të ekzagjeruara. Ka veç ndjenja të sinqerta, të shprehura me një gjuhë të thjeshtë. Dhe kjo është arsyeja pse ti e dëgjon dhe ndihesh sikur dikush më në fund ka thënë me zë të lartë atë që ti ke mbajtur brenda vetes për një kohë të gjatë.

“A ka pak kjo zemër mirëkuptim?

Si nuk doli kurrë deri më sot në krahun tim!”

E ndjen? Është dhimbje që nuk bërtet, por që rëndon. Është ai zhgënjimi që vjen kur edhe zemra jote ndonjëherë të del kundër. Në çdo fjalë të tekstit, ti gjen një copëz të vetes. Një kujtim, një dhimbje, një lutje të pathënë.

Melodia ndjek të njëjtën filozofi: minimaliste, e sofistikuar, pa asnjë notë të tepërt. Një piano që përkëdhel fjalët dhe një vokal që nuk përpiqet të imponojë, por thjesht të shoqërojë rrëfimin.

Albani tregon edhe një herë pse është një nga kantautorët më të dashur shqiptarë: ai di të flasë për dashurinë, dhimbjen, shpresën me një gjuhë që prek secilin prej nesh.

Ky është arti në formën e tij më të pastër.

Pra, nëse je në kërkim të një kënge që të të mbështjellë si një batanije në ditët kur ndihesh i lodhur, i humbur apo thjesht ke nevojë për dikë që të të kuptojë… sugjerimi im për sot në këtë të enjte me shi është “Armëpushim”…