Gjetja e parë arkeologjike e artit perëndimor është e ashtuquajtura Venusi i Willendorf-it, një statujë tepër e vockël (e lartë pak më shumë se 11 cm) e paleolitit, e gjetur në Austri. Në të shohim të mishëruar të gjitha ligjet e çuditshme të kultit primitiv të tokës. Gruaja është idhull dhe objekt, perëndeshë dhe e burgosur. Ajo është e varrosur në masën e bollshme të trupit të saj pjellor.
Venusi i Willendorf-it tingëllon komik sepse nuk ka asnjë kriter sipas të cilit të konsiderohet e bukur. Por bukuria nuk ishte bërë ende një kriter i artit. Në paleolit, arti ishte magji, rikrijimi ritual i asaj që dëshirohet. Pikturat e shpellave nuk bëheshin për t’u parë. Për ne, bukuria e tyre është e rastësishme. Muret e shpellave ishin të mbushura me bizonë dhe dre, përgjatë të gjitha të dalave dhe të hyrave shkëmbore. Arti ishte magji, thirrje: nëna natyrë, bëj që të kthehen kopetë në mënyrë që njerëzit të kenë për të ngrënë. Shpellat ishin barku i perëndeshës, kurse arti një shkravënie seksuale, një mbarsje. Ai kish ritëm dhe gjallëri, por ende jo status figurativ.
Venusi i Willendorf-it, një imazh kulti gjysmë i gdhendur prej një guri të palatuar, nuk është e bukur, për shkak se arti nuk e ka gjetur ende lidhjen e tij me syrin. Dhjami i saj është simbol bollëku në një epokë urie. Ajo është tepria e natyrës, të cilën burri mezi pret ta përdorë për shpëtimin e tij.
Venusi i Willendorf-it mbart me vete shpellën e saj. Ajo është e verbër dhe e fshehtë. Gërshetat e saj të ashpra, të radhitura si në një fushë të mbjellë, duket sikur i paraprijnë shpikjes së bujqësisë. Ballin e ka me brazda. Mungesa e fytyrës është pangjyrësia e seksit dhe e fesë primitive. Nuk ka ende psikologji apo identitet, sepse nuk ka shoqëri, nuk ka kohezion. Burrat tuten dhe shpërndahen nën shpërthimin e elementeve.
Venusi i Willendorf-it është pa sy për shkak se natyra mund të shihet, por nuk mund të njihet. Ajo qëndron e largët edhe kur vret dhe krijon. Statuja e vockël, kaq e tejmbushur dhe e beshme ritualisht, siç është, ritualisht është e padukshme. Përpara saj, syri vëgëlohet. Ajo është reja e natës arkaike.
E fryrë, e ënjtur, përvëluese, Venusi i Willendorf-it, e përkulur mbi barkun e saj, kujdeset për kazanin e natyrës. Ajo është përjetësisht e mbarsur. Ajo klloçit, në të gjitha kuptimet. Ajo është pulë, çerdhe, vezë. Fjalët latine ma-ter dhe materia, nënë dhe materie, janë të lidhura etimologjikisht.
Venusi i Willendorf-it është nëna natyrë si pjellorizuese parake, që filloi të lindë forma foshnjore. Ajo është femër, por jo femërore. Ajo është e fryrë nga forcat primitive, plot shpresa të mëdha. Ajo nuk ka këmbë. Po ta vësh drejt, mund të rrëzohet. Gruaja është e paaftë të lëvizë, e shtypur nën peshën e gjinjve të fryrë dhe të vitheve të saj. Sikundër Afërdita e Milos, Venusi i Willendorf-it nuk ka krahë. Në vend të tyre ka pëllëmbë të sheshta të gërvishtura në gur, të pazhvilluara, të padobishme. Ajo nuk ka as gishtat e mëdhenj, pra si rrjedhojë, nuk ka vegla.
Ndryshe nga burri, ajo as nuk mund të endet andej-këtej, as të ndërtojë. Ajo është një mal të cilit mund t’i ngjitesh, por që vetë nuk mund të lëvizë dot kurrë vendit.
Burimi: Libri “Personae Seksuale”, autore Camille Paglia