Le ta themi siç është, pa shumë diplomaci: debati për legalizimin e prostitucionit në Shqipëri nuk është aq skandaloz sa duan ta bëjnë. Skandali i vërtetë është se ne vazhdojmë të shtiremi sikur ky fenomen nuk ekziston, ndërkohë që ai është një industri që funksionon për mrekulli, thjesht pa ligj, pa taksa dhe, çfarë është më e rëndësishmja, pa asnjë kontroll shëndetësor.
Ditët e fundit po diskutohet hapja e shtëpive publike dhe legalizimi i prostitucionit, dhe të duket sikur Shqipëria është një oaz virgjërie! Sa moral të lartë paska pasur ky vend!
Ismail Kadare ka treguar se frymëzimi për “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” i erdhi nga hapja e një shtëpie publike në Gjirokastër gjatë Luftës së Dytë Botërore. E shihni? Ky “skandal” ka qenë gjithmonë pjesë e historisë sonë.
Por të mos gënjejmë veten: prostitucioni në Shqipëri nuk është i legalizuar vetëm në letra. Në praktikë, ai është një industri e konsoliduar dhe me një rrjet të mirorganizuar. Thjesht funksionon në hije, pa asnjë kontroll, pa standarde, pa mbrojtje. Dhe këtu vjen problemi i parë: shëndeti publik.
A e kuptoni sa rrezik përhapin Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme në një industri që funksionon jashtë çdo lloj kontrolli? Legalizimi do të thoshte kontrolle mjekësore të rregullta, masa mbrojtëse dhe kushte që sigurojnë si shëndetin e ofruesve të shërbimit, ashtu edhe të klientëve. E dini kush e ka bërë këtë? Zvicra, Gjermania… vende që, për çudi, nuk janë shkatërruar nga imoraliteti. Përkundrazi, kanë ulur infeksionet dhe abuzimin.
Dhe këtu vijmë tek një tjetër çështja shumë e rëndësishme: agresiviteti. Shoqëria jonë është e mbushur me agresivitet e zemërim, veçanërisht meshkujt. Pse burrat tanë janë shpesh duke bërtitur, duke sharë gratë, duke bërë slut-shaming?
Ndoshta — dhe po them ndoshta — sepse jemi një shoqëri kronikisht e frustruar.
Sepse jemi një shoqëri që nuk di si të menaxhojë energjinë e vet seksuale. Kemi bërë seksin tabu, edukatën seksuale inekzistente, dhe intimitetin emocional e kemi zëvendësuar me “macho” agresivitetin. Dhe pastaj habitemi pse kemi kaq shumë dhunë ndaj grave, abuzime seksuale, kaq shumë frustrim.
Seksi nuk është thjesht një akt fizik, është një nevojë për mirëqenie mendore dhe emocionale. Dhe mungesa e tij, ose mënyra e shtrembëruar si e trajtojmë, çon në një shoqëri të tensionuar dhe të dhunshme.
Prandaj, le të jemi realistë: legalizimi i prostitucionit nuk është fundi i moralit shqiptar, është fillimi i një qasjeje më të ndershme. Do të thotë më shumë transparencë, më pak abuzim, një industri e kontrolluar që kontribuon në ekonomi dhe, mbi të gjitha, një shoqëri më pak e frustruar.
Dhe nëse do ta bëjmë këtë, le ta bëjmë siç duhet: me ligje të qarta, me kontrolle të rrepta, me mbrojtje për ata që punojnë në këtë industri dhe për ata që e frekuentojnë. Nuk po them ta bëjmë Amsterdam brenda natës, por të paktën të mos bëjmë sikur jemi një manastir kur, në fakt, e dimë të gjithë që nuk jemi.
E imagjinoni një Shqipëri, ku profesion më i vjetër në botë, të jetë i ligjshëm? Do kishim më shumë transparencë, më pak abuzim dhe një kontribut financiar të rëndësishëm për ekonominë. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, një shoqëri më pak të frustruar dhe më pak të dhunshme. Në fund të fundit, siç thonë ekonomistët: pse të lëmë një treg kaq fitimprurës pa e taksuar? Për moralin e shtirur?