Në Shqipëri po konsiderohet legalizimi i protitucionit dhe shtëpive publike! Lajmin e dha drejtori i Magjistraturës Arben Rakipi, i cili gjatë një interviste në RTSH tha se po konsiderohet hartimi i një drafti-ligjor, që do të prezantohet publikisht edhe gjatë muajve në vijim.

Sipas 'Gazeta Si' drafti është hartuar nga një grup ekspertësh të së drejtës penale, ndër më të njohurit në vend.

Aktualisht, si personi që e ushtron prostitucionin, edhe personi që paguan për të dënohen nga Kodi Penal. Në nenin 113 thuhet se “Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.

Me të njëtën frymë ndëshkuese, por shumë më të fortë në masën e burgimit, dënohet edhe çdokush që kthen mjedise të ndryshme në funksion të prostitucionit. Në nenin 115 të Kodit Penal thuhet se “Mbajtja, shfrytëzimi, financimi, dhënia me qira e lokaleve për ushtrim të prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.”

Por gati 30 vite pas miratimit të këtyre përcaktimeve, hartuesit e draftit të ri të Kodit Penal, kanë menduar se është koha që gjithçka që lidhet me prostitucionin, me përjashtim të shfrytëzimit të tij, të dekriminalizohet.

Njerëzit të jenë të lirë të ofrojnë shërbime seksuale me para, të jenë të lirë ta blejnë këtë shërbim, si dhe të dinë se ku ta marrin këtë shërbim, që, në çdo gjuhë dhe vend të botës njihet si profesioni më i vjetër.

Gazetasi.al sjell formulimin autentik që gjendet në draftin e Kodit të ri Penal.

Në nenin 853, propozuesit janë treguar të kujdesshëm që në 3 paragrafët e parë ta mbajnë të kriminalizuar veprën e prostitucionit, por në të njëjtin nen, propozojnë përkohshmërinë e tij, deri kur qeveria të ketë gati ligjin për dekriminalizimin e veprës dhe të rregullimit të ushtrimit të aktivitetit të prostitucionit në shtëpi publike.

1. Ushtrimi i prostitucionit, kur nuk janë rastet e parashikuara në paragrafin e tretë të nenit 144, paragrafi 3 të këtij Kodi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

2. Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

3. Gjykata, kur gjendet përpara veprës penale të parashikuar nga paragrafi i parë i këtij neni dhe, kur ekzistojnë më shumë se dy rrethana lehtësuese dhe asnjë rrethanë rënduese, mund të mjaftohet me caktimin ndaj personit që ushtron prostitucion vetëm të dënimit plotësues të parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal, duke e urdhëruar atë të marrë pjesë në seanca psikologjike, terapeutike dhe edukimi.

4. Kjo dispozitë zbatohet deri në kohën e dekriminalizimit me ligj të kësaj vepre penale dhe rregullimit të ushtrimit të kësaj veprimtarie në elemente të tilla, si: subjektet që lejohen ta ushtrojnë atë, vendet e ushtrimit, regjistrimit të tyre, masave të karakterit parandalues dhe mjekësor të detyruara për t’u zbatuar, elemente të tjera të karakterit ekonomik, kufizimet e përgjithshme rreth elementeve të veçanta etj., kushte që bëjnë të mundur kontrollin dhe administrimin e plotë të fenomenit.

Disa shtetet që kanë legalizuar prostitucionin:

Bangladesh

Gjermani

Belgjikë

Ekuador

Brazil

Danimarkë

Kanada

Kolumbi

Francë

Indonezi

Austri

Holandë

Australi

Indi

Zelanda e Re

Po Shqipëria?

Në Shqipëri nuk ka statitiska të sakta për gratë apo burrat që ushtrojnë prostitucion, që, në raportet e përvitshme të organeve ligjzbatuese përmblidhen tek krimet kundër moralit dhe dinjitetit. Ajo që dihet me siguri për fenomenin janë tre të dhëna që dalin nga njoftimet zyrtare: së pari, se gjatë tre dekadave të fundit, Shqipëria ka patur një numër të lartë grash dhe vajzash të trafikuara me forcë jashtë vendit për qëllime prostitucioni.

Së dyti, se Shqipëria po konsiderohet si vend joshës për prostitutat e huaja. Së treti, se, vitet e fundit, qendrat e masazheve dhe spa-ve janë shndërruar në qendra të ushtrimit të paligjshëm të prostitucionit.

Por a janë gati shqiptarët që të pranojnë në vendin e tyre shtëpitë me dritat e kuqe si një biznes i zakonshëm?