Arban Përlala, i njohur nga të gjithë me emrin e artit G Bani, ishte i ftuar në emisionin “S’e luan Topi”, ku ndau disa nga ngjarjet më të vështira të jetës së tij. Një prej këtyre ngjarjeve ka ndodhur më 7 janar 1992, një ditë që ai e përshkruan si një nga më të vështirat në jetën e tij.
G Bani rrëfen se në atë kohë punonte në një kioskë dhe kishte shkuar për të marrë vëllanë. Ai kujton momentin kur vëllai i tij i dha një kapsoll, i cili vinte nga magazinat e metalurgjisë, në Rubik. Kapsolla ishte e lagur dhe nuk funksiononte fillimisht, por G Bani e ndezi atë dhe shpërthimi i shkaktoi dëmtime serioze në syrin e tij të majtë.
“Punoja tek kioska, shërbeja aty, kur shkova të merrja vëllanë, ai që po rrinte vëllai më tha ha merre këtë kapsollin, ai kapsolli vinte nga magazinat e metalurgjisë, minierës në Rubik. Kapsolla ishte e lagur, i pres fitilin nuk funksionon, ndeza një zjarr nuk bëri bam, marr dhe e ngacmoj dhe vetëm dëgjoj një zhurmë, pati një shpërthim, më dëmton syrin e majtë,” – shprehet ai.
Ai theksoi se ka pasur një ndjenjë para se të ndodhte shpërthimi: “Unë e kam parë në ëndërr këtë ndodhi dhe ia thashë babit”. Pas shpërthimit, G Bani humbi shikimin në syrin e majtë dhe u dërgua për trajtim fillimisht në Rrëshen dhe më pas në Tiranë, ku iu bë një operacion me anestezi lokale. Ai kujton ndjeshmërinë e fortë gjatë procedurës dhe trajtimin që kishte kaluar në atë moshë të re, vetëm 11-12 vjeç.
“I mbaj mend gjilpërat, 12-11 vjeç, besoj se truri i njeriut ka veti që traumat t’i fshehë që të ketë mundësi të vazhdojë. Hardisku im ka bërë disa herë fshirje se kam përjetuar shumë trauma”, shpjegon ai.
G Bani tregon se edhe sot e kësaj dite, shpesh herë lexon komente fyese, si ai i quajtur “qorr”, një referencë për këngën “Qorrin e Lalzit” që ai këndonte në Big Brother VIP. Ai shpjegon gjithashtu se ndonëse shikimi i tij ka rënë në 50%, ka vazhduar të përballet me shumë sfida dhe ka mësuar të përballojë pasojat e asaj ngjarjeje të trishtuar.