Pas daljes nga shtëpia e "Big Brother VIP 4", G Bani ka reaguar në rrjetet sociale, duke falënderuar mbështetësit dhe sqaruar situatën e përjetuar brenda spektaklit. Gjatë qëndrimit në BBV4, ai mori një lajm të trishtuar për shëndetin e të atit, i cili kishte pësuar një ishemi cerebrale. Fillimisht, G Bani dyshoi në vërtetësinë e lajmit, por pas daljes kuptoi se gjithçka ishte reale.

Në mesazhin e tij publik, ai theksoi se nuk do të publikojë foto apo momente të vështira për të "bindur" të tjerët, duke i lënë pas komentet dhe dyshimet. Ai shkroi: "Nuk më është besuar deri sa kam folur me familjen. E besojnë apo jo disa lojtarë e shumë komentues, edhe unë kam familje."

G Bani shtoi se të gjitha fjalët, kërcënimet dhe sharjet që ka marrë gjatë kësaj kohe i fal të gjithëve, duke i lënë pas ato që ndodhën brenda shtëpisë së "Big Brother VIP". Në fund, ai përshëndeti të gjithë dhe uroi banorët e mbetur në garë.