Inteligjenca artificiale (AI) ka hyrë me vrull në botën e punës, duke premtuar një revolucion të pandalshëm. Nga krijimi i imazheve fotorealistike në sekonda, tek sintetizimi i orëve të punës në minuta, AI po transformon mënyrën si punojmë dhe aftësitë që nevojiten për sukses. Sipas raportit të fundit të Workday, “Elevating Human Potential: The AI Skills Revolution”, 81% e profesionistëve të anketuar besojnë se AI po ridefinon aftësitë e kërkuara në vendin e punës.
Por ndërsa disa do të duhet të mësojnë aftësi të reja për të përfituar plotësisht nga potenciali i teknologjisë, një gjë mbetet e qartë: aftësitë thellësisht njerëzore si empatia, marrja e vendimeve etike dhe ndërtimi i marrëdhënieve janë ende të pazëvendësueshme. Në një të ardhme të dominuar nga teknologjia, këto kompetenca “human-centric” do të jenë më të çmuarat.
“Diskutimi mbi AI shpesh përqendrohet te frika për humbjen e vendeve të punës, por ne e shohim si një mundësi të jashtëzakonshme,” thotë Jim Stratton, CTO i Workday. “Nëse e përdorim inteligjencën artificiale për të mirën e përbashkët, mund të theksojmë atë që na bën unikë si njerëz — kreativitetin, empatinë dhe aftësinë për lidhje — dhe të ndërtojmë një ambient pune ku këto cilësi drejtojnë suksesin.”
Në të njëjtën linjë, Jennie Rogerson, Global Head of People në Canva, thekson se AI do të përmirësojë efiçencën, por nuk do të zëvendësojë elementët thelbësorë njerëzorë si komunikimi dhe ndërtimi i marrëdhënieve. Në fakt, raporti evidenton se profesionistët që tashmë përdorin AI janë më optimistë për përfitimet e saj (me një vlerësim 4.32 nga 5), ndryshe nga ata që planifikojnë ta adoptojnë në 12 muajt e ardhshëm (3.89 nga 5).
Por a mund të bashkëjetojnë njerëzit dhe AI në harmoni?
Për të arritur këtë, raporti sugjeron se nevojitet një angazhim i përbashkët për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë. Vetëm përmes një bashkëpunimi të shëndetshëm midis kompanive teknologjike, organizatave dhe qeverive, mund të ndërtohet një e ardhme ku njerëzit dhe modelet e AI do të bashkëpunojnë dhe jo të konkurrojnë. Vetëm kështu mund të rritet produktiviteti individual dhe të arrihen rezultate që tejkalojnë çdo pritshmëri.
E ardhmja nuk është vetëm teknologjike — është një partneritet mes inteligjencës artificiale dhe potencialit të jashtëzakonshëm njerëzor.