Nëse kurdoherë, nga periudha 1750 - 1930, do të pyesnit njerëzit e kulturuar të asaj kohe se “Cili është qëllimi i poezisë, artit apo i muzikës?”, ata do t’ju përgjigjeshin: “E bukura!”.

Nëse do t’i pyesnit se “Përse e bukura?, - ata do t’ju përgjigjeshin: “Sepse e bukura është një vlerë po aq e rëndësishme sa e vërteta dhe e mira. Më vonë, në shekullin e 20-të, e bukura ndaloi së qeni e rëndësishme.

Asokohe, arti synonte më tepër të shkaktonte shqetësim dhe të thyente tabutë morale. Si i tillë, arti nuk kishte lidhje me të bukurën, por me origjinalitetin, pavarësisht se si arrihej ky dhe kostove të tij morale. Jo vetëm që arti e ka kthyer të shëmtuarën në kult, por edhe arkitektura mbetet po aq sterile.

Sot nuk janë të shëmtuara vetëm gjërat që na rrethojnë, por edhe gjuha, muzika dhe sjelljet tona janë të ashpra, të vetëqendërzuara dhe egoiste, a thua se e bukura dhe shija e mirë nuk kanë më vend në jetën tonë.

Mbi këto gjëra shkruhet me të madhe vetëm një fjalë dhe ajo është: UNË! - përfitimet e mia, dëshirat e mia, kënaqësitë e mia. Artit s’i ka mbetur asnjë përgjigje mbi këtë veç të thotë: “Po, jepi! Vazhdo!” Unë mendoj se ne po e humbasim të bukurën dhe rreziku që rrjedh nga kjo humbje është se bashkë me të bukurën, ne do të humbasim edhe kuptimin e jetës. 

Jam Roger Scruton, filozof dhe shkrimtar. Profesioni im është të ngre pyetje. Vitet e fundit kam ngritur pyetje mbi të bukurën. E bukura ka qenë thelbësore për qytetërimin tonë për thuajse 2000 vjet. Që nga fillimi i saj në Greqinë e lashtë filozofia është marrë me vendin që zë e bukura në art, muzikë, arkitekturë dhe në jetën tonë të përditshme.

Filozofët kanë argumentuar se nëpërmjet kërkimit të së bukurës ne i japim formë botës si një të tërë. Kjo na ndihmon edhe për të kuptuar natyrën tonë dhe qenien tonë shpirtërore. Por bota jonë i ka kthyer shpinën së bukurës. Për këtë shkak gjendemi të rrethuar nga shëmtia dhe asgjësimi.

Burimi: Dokumentar i BBC

 

Unë dua t’ju bind mbi rëndësinë e së bukurës, mbi atë se ajo nuk është vetëm diçka subjektive, por një nevojë universale e qenies njerëzore. Nëse ne ia mohojmë vetes këtë nevojë, atëherë do të gjendemi në një shkretëtirë shpirtërore. Unë dua t’ju tregoj rrugën se si të dilni nga kjo shkretëtirë. Ajo është rruga që do t’ju çojë në shtëpi.