Estetika i referohet filozofisë së artit dhe filozofisë së së bukurës. Të dyja fushat janë të mbushura me debate të diskutueshme dhe interesante nga pikëpamja filozofike. Në filozofinë e artit, ka qëndrime magjepsëse, si dhe konflikte mbi se ‘çfarë është arti’ dhe ‘përse veprat e artit duhet të jenë kaq shumë të rëndësishme për ne?’. Vetë dallimi ndërmjet ‘artit’ dhe ‘jo-artit’ është sfiduar nga filozofët dhe nga artistët. Kuptimi dhe evolucioni i artit (ose i kritikës së artit) është një fushë kërkimi e vazhdueshme dhe mjaft ngazëllyese, me këndvështrime të ndryshme mbi rëndësinë e krijimtarisë, origjinalitetit, dhe përmbajtjes etike (nëse një vepër arti promovon seksizëm apo racizëm, a është ai domosdoshmërisht art i keq?), dhe nëse një vepër e madhe arti duhet t’i qëndrojë testit të kohës. Reflektimet filozofike mbi të bukurën, ndonjëherë kanë ecur paralelisht me filozofinë e artit, por ato sjellin me vete një grup më të gjerë çështjesh. Sot, shumë artistë nuk e shikojnë të bukurën si një qëllim parësor dhe disa nga veprat më të vlerësuara, duken deri diku të shëmtuara. Për shumë njerëz, gjykimet mbi të bukurën dhe të shëmtuarën duket se janë një çështje tërësisht të lidhura me shijen. ‘E bukura është në syrin e atij që shikon’ është tani një kli?e. E megjithatë, e bukura mbetet një nga temat më të rëndësishme në estetikë, për shumë arsye. Nga pikëpamja historike, shumica e artit është motivuar nga një interes për të bukurën dhe kjo është në mënyrë të dukshme dhe gjërësisht e përhapur kulturorisht, duke përfshirë jo vetëm Perëndimin, por edhe Afrikën, Azinë dhe Kontinentin Amerikan. Aktualisht, ka një rivalitet me interes filozofik mbi rolin e të bukurës në artin e sotëm dhe në etikë. Ne do të marrim në shqyrtim arsyet që qëndrojnë pas këtij rivaliteti. Në Kapitullin 1, disa filozofë mund të bien dakord se e bukura qëndron në syrin e atij që shikon, por pastaj ata propozojnë se ka disa mënyra të të parit që janë më të besueshme sesa disa të tjera. Dhe në etikë sot, është thuajse e zakonshme të pranojmë se disa gjykime morale mbështeten në estetikë dhe jo vetëm, për shembull, në shkencë, histori, institucione dhe kështu me radhë. Nëntitulli i një libri të kohëve të fundit mbi ‘Etikën Mjedisore’ na thotë: Nga e bukura tek detyra. Ndoshta, ne duke e parë diçka si të bukur, kemi më shumë të ngjarë ta mbrojmë dhe jo ta shfrytëzojmë atë.

Huazuar dhe përkthyer nga Libri ‘Estetika:

Një udhërrëfyes për fillestarët’, nga Charles Taliaferro, OneWorld Oxford, Mbretëri e Bashkuar, 2011. 

Burimi i Fotografisë:

Pinterest