Ja ku jemi, miqtë e mi. Në një kohë kur bota po eksploron inteligjencën artificiale, njerëzimi po planifikon udhëtimin drejt Marsit dhe viti 2025 parashikonet si viti ku njerëzit do bëjnë më shumë seks me robotët se me njëri-tjetrin… ne, këtu në Shqipëri, kemi një çështje më urgjente për të zgjidhur: a kanë bërë apo jo Egli dhe Gjesti seks. Kjo është dilema jonë madhore, shqetësimi ynë kombëtar, misteri që kërkon zgjidhje më shumë se reforma në drejtësi.

Prej ditësh, kjo pyetje ka pushtuar shqiptarët nëpër shtëpi, portalet, rrjetet sociale. Pyetja që na mban zgjuar natën. Pyetja që, mesa duket, përcakton karakterin dhe dinjitetin e një vajze. Dhe kjo është gjëja më shqetësuese!

Ne si shoqëri kemi një nevojë të pangopur për t’u marrë me jetën intime të tjetrit, për të ndërtuar narrativa, për të shpallur “të ndershmen” dhe “të pamoralshmen”. Sidomos kur bëhet fjalë për gra. Sepse në këtë shoqëri, një vajzë gjykohet gjithmonë për atë që bën apo nuk bën nën batanije.

Egli ishte e qartë në reagimin e saj. Dhe, nëse më lejoni, e vërtetë. “Po edhe po ta kem bërë, e kam bërë me dikë që e ndjej. Çfarë ju duhet juve?”. Dhe kjo është thelbi i gjithë kësaj çështjeje. Çfarë ju duhet juve? Përse duhet të mbetemi të ngujuar në këtë nevojën e lodhshme për të kontrolluar jetën intime të tjetrit? Në një show që supozohet të jetë një pasqyrë e realitetit, ndjenjat dhe dëshirat janë pjesë e natyrshme e përvojës njerëzore. Pse i trajtojmë ende si tabu?

Kjo nuk është thjesht një çështje show-u por është një pasqyrë e shoqërisë sonë. Një shoqëri që ende ngre gishtin me moralizëm sa herë një grua guxon të jetë e lirë me trupin dhe ndjenjat e saj. Një shoqëri ku vajza si Egli duhet të mbrojnë veten por për zgjedhjet e tyre intime.

Unë nuk di çfarë kanë bërë Egli dhe Gjesti. Nuk më intereson. Nuk më takon. As juve nuk ju takon. Por fakti që në vitin 2025, jemi ende duke diskutuar mbi çarçafë në vend që të diskutojmë mbi lojën… Ende duke gjykuar zgjedhjet personale të grave… Ende duke kërkuar llogari për ndjenjat… tregon se sa shumë rrugë kemi për të bërë, jo vetëm si audiencë e një reality show, por si shoqëri.