Në një mëngjes që nisi me kuriozitet dhe përfundoi me shumë pikëpyetje, Gazmend Paja, aktor i njohur i humorit dhe tashmë i shpallur investitor strategjik, u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Qëndrimi i tij brenda nuk zgjati shumë, por mjaftoi për të nxitur debat dhe spekulime.
Ajo që tërhoqi vëmendjen nuk ishte vetëm prania e tij në këtë institucion, por ironia e tij lara gazetarëve. Pas daljes, i rrethuar nga gazetarët, Paja u pyet: “Hera e dytë në SPAK — ishit si aktor apo si investitor strategjik?” Dhe përgjigja erdhi po aq ironike sa pritej: “Jo, isha me prokurorin në kafe, pa dashje mori celularin tim dhe solli të tijin. Nuk e njoh prokurorin.”
View this post on Instagram
Paja e kaloi situatën me batutë, por ajo që mbetet ende pa një përgjigje të qartë është arsyeja e thirrjes së tij në SPAK. Raportimet tregojnë se kjo nuk është hera e parë — Paja u pa në ambientet e Prokurorisë edhe dy ditë më parë.
Përtej roleve komike dhe skenave televizive, Gazmend Paja është bërë një emër që po lakohet edhe në biznes. Ai është shpallur investitor strategjik në jug të Shqipërisë, ku kompania e tij “Ecotech Energy Services”, në bashkëpunim me “Startek”, ka marrë në përdorim një sipërfaqe prej 133 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi. Projekti? Një resort luksoz që ka shkaktuar jo pak polemika politike.
Partia Demokratike ka akuzuar Pajën se ka përfituar këtë status përmes lidhjeve politike. Vetë aktori, nga ana tjetër, e ka pranuar që është shpallur investitor strategjik, por ka mohuar me forcë çdo përfitim të padrejtë, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë centimetër tokë nga shteti.