Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dorëzuar ankimim në Apelin e GJKKO për masën e arrestit me burg, e caktuar ndaj tij më 10 shkurt. Ankimimi është depozituar përmes postës më 14 shkurt, dy ditë pasi GJKKO la në fuqi vendimin e arrestit. Megjithatë, mbrojtja e Veliajt nuk ka paraqitur ankimim për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, e cila ndodhet në masën e detyrimit për paraqitje.
Veliaj përballet me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash, por ai i ka mohuar të gjitha, duke e cilësuar procesin si një gjyq politik, vetëm tre muaj para zgjedhjeve. Sipas tij, në dosje nuk ka asnjë provë që tregon se ka kërkuar apo marrë ryshfet.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 në zyrën e Bashkisë së Tiranës, nën dyshimet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash. Ndërkohë, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Biznesmeni Elman Abule përballet me akuzën e pastrimit të parave, ndërsa pesë biznesmenë të tjerë akuzohen për korrupsion aktiv.