Olly është fituesi i Sanremo 2025 me këngën “Balorda Nostalgia”, duke u ngjitur në majën e festivalit më prestigjioz të muzikës italiane. Një fitore që ai vetë e cilësoi si “absurde, por e vërtetë”, ndërsa e priste i qetë e i sigurt në rrugën e tij. “Jam shumë i fokusuar jo vetëm tek kjo javë, por edhe tek ajo që vjen më pas – koncertet dhe njerëzit që kanë blerë tashmë biletat”, tha ai para finales. Dhe me një tour të shitur plotësisht, siguria e tij kishte arsye të forta.
View this post on Instagram
Nga studimet në ekonomi te muzika
Emri i vërtetë i Olly-t është Federico Olivieri, një 23-vjeçar nga Xhenova, qyteti që ka ndikuar thellësisht në stilin e tij muzikor. Ai vetë e ka pranuar se ka gjetur frymëzim te Fabrizio De André, legjenda italiane, dhe për natën e cover-ave në Sanremo zgjodhi të interpretonte “Il Pescatore” në duet me Goran Bregovich. Por, krahas muzikës, Olly ka një tjetër pasion: Vasco Rossi, një tjetër ikonë e rokut italian.
Muzika nuk ishte rruga e vetme në familjen e tij. Me një baba avokat, një nënë gjyqtare dhe një vëlla të diplomuar në juridik, mund të mendohej se edhe ai do ndiqte një rrugë të ngjashme. Por prindërit e tij i vendosën vetëm një rregull: liri për të zgjedhur, por me seriozitet dhe respekt. Kështu, ai përfundoi me sukses gjimnazin shkencor dhe, në vitin 2022, u diplomua në Ekonomi dhe Menaxhim, ndërsa në të njëjtën kohë zhvillonte talentin muzikor. “Shkruaja këngë mes një provimi dhe tjetrit”, tregon ai.
Nga fusha e rugby-t te skena e Sanremos
Përveç muzikës, Olly është formuar edhe përmes sportit. Rugby ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij, duke i dhënë jo vetëm një fizik të fuqishëm (ai është 1.95 m i gjatë), por edhe një mentalitet të fortë. “Rugby është një filozofi e vërtetë: goditesh në fushë, por më pas e respekton kundërshtarin. Shkon përpara, por topin e pason pas”, shpjegon ai.
Sporti, megjithatë, bëri që ai të hiqte dorë nga Konservatori Paganini i Xhenovës, ku kishte studiuar për violë dhe piano për katër vite. Një zgjedhje e vështirë, por që më vonë do të shpërblehej me suksesin e madh në muzikë.
Rruga drejt suksesit: nga TikTok te platformat muzikore
Në vitin 2022, Olly publikoi këngën “Un’altra volta”, e cila u bë virale në TikTok dhe kaloi mbi 5 milionë dëgjime në Spotify. Ky sukses e çoi drejt Sanremo Giovani, ku u përzgjodh nga Amadeus dhe më pas fitoi një vend mes “big”-ëve në Sanremo 2023 me këngën “Polvere”.
Në atë edicion ai u rendit i 24-ti nga 28 artistë në garë, një pozicion modest, por që nuk e ndali. Sanremo 2023 ishte viti i yjeve si Marco Mengoni me “Due Vite”, Lazza me “Cenere” dhe Tananai me “Tango”.Olly e pa atë si një pikënisje dhe, një vit më vonë, në 2024, arriti suksesin më të madh me albumin “Tutta Vita”, i cili mori disa disqe platini.
Dhe më në fund, në 2025, erdhi triumfi i madh në Sanremo. Madje, ndër fansat e tij të rinj tani është edhe Simon Le Bon.
Dhe jeta private? Një mister që fansat duan ta zbulojnë
Olly është i kujdesshëm kur bëhet fjalë për jetën e tij private. Ai ka deklaruar shpesh se dëshiron ta mbajë larg syrit të mediave dhe nuk ka folur për lidhje sentimentale. E vetmja gjë që ka pranuar është se “Balorda Nostalgia” është frymëzuar nga një dashuri e përfunduar prej kohësh.
Megjithatë, thashethemet nuk kanë munguar. Sipas mediave italiane, ai mund të ketë një flirt me Benedetta Quagli, modelen dhe sipërmarrësen nga Firence, e njohur për markën e saj të bizhuterive dhe për lidhjen e mëparshme me futbollistin Federico Chiesa. Arsyeja e këtyre spekulimeve? Benedetta e ka ndjekur Sanremon me miqtë e Olly-t dhe e ka ndarë momentin në rrjetet sociale. Fansat menjëherë kanë vërshuar me komente: “Je e dashura e Olly-t? Lëre edhe për ne ndonjë shpresë!”
Olly nuk është më thjesht një talent i ri që u bë viral. Ai ka dëshmuar se është një artist i kompletuar, me një rrugëtim të qëndrueshëm dhe një karrierë që veçse po rritet. Nga tekstet e para të shkruara mes provimeve në universitet, tek sukseset në Spotify dhe skena e Sanremos, ai ka ndërtuar një identitet të fortë artistik.
Me një tour të shitur plotësisht, një fitore të bujshme në festivalin më të madh italian dhe një stil muzikor që kombinon traditën me modernitetin, Olly është emri që duhet mbajtur mend. Dhe ky është vetëm fillimi!