Bebe Rexha, një nga emrat më të suksesshëm shqiptarë në industrinë muzikore ndërkombëtare, ka shpërthyer publikisht kundër paparacëve dhe mediave që kanë shpërndarë fotografi të saj në një moment të vështirë shëndetësor.
Këngëtarja, e cila ishte shtruar për tre ditë në spital për shkak të një problem të rëndë në stomak, është ndjerë e përdorur dhe e ekspozuar në mënyrë çnjerëzore nga mediat si Daily Mail, të cilat e publikuan imazhin e saj pa kontekstin e duhur, duke e shfrytëzuar pamjen e saj për klikime.
Në një sërë postimesh në Instagram, Bebe shprehu zemërimin dhe zhgënjimin e saj për këtë ndërhyrje të papërshtatshme në jetën e saj private: “E di që ka një foto që po merr shumë vëmendje për pamjen time. Kam qenë në spital për tre ditët e fundit me një problem të rëndë në stomak dhe aty isha duke hyrë në spital. Kush pret jashtë një spitali për të bërë fotografi të njerëzve që hyjnë?! Kur do të ndalojnë paparacët së shfrytëzuari gratë në momentet e tyre më të këqija! Nuk mund të jesh as e sëmurë në paqe.”
Por ajo nuk u ndal me kaq. Në një tjetër postim, ajo e drejtoi zemërimin e saj konkretisht ndaj Daily Mail dhe gazetares Sonia Horon, duke i akuzuar për mungesë totale etike:
”@dailymail Ju jeni vërtet të neveritshëm. Ju e dinit që ato fotografi të miat u bënë jashtë spitalit. Kush bën fotografi të njerëzve të sëmurë duke hyrë në spital dhe më pas e fokuson artikullin tek pamja e tyre?! Pse nuk thatë që ajo po hynte në spital?! Sepse e dini që është gabim. @soniahoron, sidomos duke qenë një grua, duhet të ndihesh e turpëruar për veten.”
Duke ironizuar mënyrën sesi mediat trajtojnë imazhin e grave, ajo shtoi:
“Herën tjetër kur të ndihem sikur po vdes dhe po shkoj në spital, duhet të mbaj mend të rregulloj flokët, të vendos grim, dhe të vesh një fustan.”
A është etika mediatike një koncept i harruar?
Reagimi i Bebe Rexhës ka ngjallur një debat të gjerë në rrjetet sociale mbi kufijtë e etikës në gazetari dhe agresivitetin e paparacëve, veçanërisht ndaj grave në industrinë e showbiz-it. Nuk është hera e parë që personazhet publikë denoncojnë këtë lloj abuzimi vizual, por rasti i Rexhës ka prekur një temë të ndjeshme: pse mediat zgjedhin të fokusohen tek pamja e një gruaje në një moment të brishtë, në vend që të respektojnë kontekstin dhe privatësinë e saj?
Ky episod tregon edhe një herë se si etika gazetareske shpesh lihet mënjanë për hir të sensacionalizmit dhe klikimeve. Pyetja është: kur do të vijë momenti që media do të ndalojë së shfrytëzuari gratë edhe në momentet e tyre më të vështira?