Eleganca dhe magjia e baletit klasik të transformuar mbi akull është gati të mbërrijë në kryeqytet.  Më 14 shkurt 2025, Pallati i Kongreseve në Tiranë do të mirëpresë një shfaqje të jashtëzakonshme që bashkon artin, muzikën dhe mjeshtërinë e patinazhit. "Liqeni i Mjellmave,"  kompozuar nga mjeshtri i madh Pjotr Iljiç Çajkovski, vjen në një interpretim të veçantë mbi akull, për të krijuar një përvojë mahnitëse dhe të rallë për të gjitha moshat.

Përralla e dashurisë dhe intrigat e pushtetit, tema që prekin ende universalisht, por edhe shoqërinë shqiptare sot, do të përcillet me elegancë nga artistë të talentuar, të cilët me çdo lëvizje krijojnë magji mbi akull.  

Historia e Princeshës Mjellmë që do të mbrojë habitatin ku jeton, por dashurohet po aq edhe me djalin e një biznesmeni që do të ndërtojë buzë liqenit është thirrja artistike për këtë Shën Valentin në Tiranë. A do të fitojë dashuria përballë parasë dhe projekteve për të ndërtuar në liqen? Odette, vajza e re që kundërshton planet e pushtetit për ta shfrytëzuar liqenin si burim për prodhimin e energjisë kthehet në mjellmë nga të plotfuqishmit. Diku tjetër, gjatë një feste, Siegfrid sfidon babanë e tij, i cili dëshiron të bashkëpunojë me Rothbart për të ndërtuar një fabrikë në buzë të Liqenit të Mjellmave. A është kjo një histori dashurie apo një kurth parash dhe pushteti? Këtë do të mund ta zbuloni  në Pallatin e Kongreseve më 14 shkurt. Madje në dy orare, në 18.30 dhe në 21.00 pasi trupa artistike ka menduar dy shfaqje të përrallës që këtë herë vjen sa klasike, po aq edhe moderne, mbi akull.

Muzika e pavdekshme e Çajkovskit, e kombinuar me performancat e jashtëzakonshme të patinatorëve, e bën këtë spektakël unik dhe të paharrueshëm. Një event i përsosur për Ditën e Shën Valentinit, ku arti dhe dashuria takohen në mënyrën më të bukur.

E megjithëkëtë, dy shfaqjet e “Liqenit të Mjellmave" nuk do të jenë të vetmet këtë shkurt. Vetëm një ditë më vonë, pjesëtarë të po kësaj trupe artistike që vjen për herë të parë në Shqipëri do të përcjellë më 15 shkurt edhe një shfaqje tjetër, me heronjtë e të vegjëlve. Ndaj në ora 11:00, përgatituni të përjetoni magjinë e një spektakli unik mbi akull! "Spectapolis on Ice: Një Përrallë mbi Akull" do t`ju mahnisë me heronj e princesha të përrallave më të bukura. Edhe kostumet e tyre do t'ju lënë pa mend. E kuruar në detaje, kjo shfaqje është një dimension tjetër I jetës artistike në kryeqytet.