Majk, urime për këngën e re, për vëmendjen dhe për klikimet. (Morëm edhe ne disa klikime nga ti meqë ra llafi, por jo shumë me thënë të drejtën). Por një pyetje: A nuk mund të kishte mbërritur projekti yt tek publiku pa këtë lojën e unazës dhe “fejesës”?
Është realisht e shëmtuar në 2024 të shohësh se sa shpesh artistët shqiptarë u kthehen...
...e u kthehen...
...e u kthehen këtyre skemave të vjetërsuara për të tërhequr vëmendje.
Fejesa, martesa, ndarje, shtatzëni dhe sherre të rreme – këto janë narrativat që duket se përbëjnë strategjinë e marketingut në showbizin tonë. Por, kur do e kuptoni se ky lloj marketingu i’a ka sjellë publikut në majë të hundës?!
Ditën e djeshme Majk publikoi dy foto duke vendosur një unazë në duart e një goce misterioze, duke shkruar “Ajo tha Po”, duke iniciuar se i kishte propozuar vajzës në fjalë dhe ajo kishte pranuar. Pra, ishte fejuar.
View this post on Instagram
Plot twist: Majk nuk është fejuar.
Sot ai ka publikuar një video të shkurtër duke treguar se do publikojë një projekt të ri muzikor. Dhe gjejeni çfarë, në fabulën e këngës është Majk si dhëndër dhe një vajzë si nuse. “Ku je fshehë”– titullohet kënga e tij e cila do publikohet nesër.
View this post on Instagram
E gjitha kjo për të promovuar një këngë. A funksionoi? Po, përsa i përket klikimeve të momentit.
Për disa orë u përfol në rrjetet sociale, mori komente dhe likes. Ka marrë 10 mijë likes te postimi i fundit, që për të duket të jenë shumë sepse është i vetmi postim në Instagramin e tij ku numri i likes janë të dukshme, sepse në postimet e tjera janë “Hide”. (Kjo një temë shumë interesante për tu trajtuar mbi showbizin tonë, por një herë tjetër.)
Por çfarë humbi?
Duket se për shumë artistë shqiptarë, audienca ka mbetur vetëm një numër në statistika, dhe emocionet e publikut, një mjet për të arritur më shumë klikime. Dhe kjo nuk është thjesht lodhëse, është e dëmshme. Sepse konsumon një nga gjërat më të rëndësishme që artistët kanë: besimin e publikut. Kur çdo javë hasim “lajme” për fejesa, ndarje, konflikte apo shtatzëni, që më pas rezultojnë të jenë skema marketingu, ndjekësit fillojnë të mos i marrin më seriozisht këto figura publike.
Qëllimi i artistit është të ndërtojnë lidhje emocionale me publikun, por nëse këto lidhje vazhdimisht shkatërrohen nga manipulime të tilla, është vetëm çështje kohe derisa ky raport të përfundojë.
Pastaj, mos të harrojmë një aspect tjetër, showbizi ka ndikim të madh në kulturën popullore dhe në formimin e mendësive, sidomos tek të rinjtë. Kur VIP-at shqiptarë promovojnë këtë lloj manipulimi, ata i mësojnë ndjekësit e tyre, sidomos brezat e rinj, se ti mund të bësh gjithçka për vëmendje. A është kjo kultura që duam të promovojmë?
Majk është një artist i talentuar. Një fragment nga kjo këngë e tij që është publikuar në TikTok ka marrë mbi 50 mijë pëlqime në TikTok, vetëm nga teksti ndarë pa shumë zhurmë. Kjo është prova se publiku shqiptar nuk ka nevojë për lojëra. Nëse një këngë është e bukur, ajo do të gjejë rrugën drejt zemrës së audiencës.
Kjo është ajo që i mungon showbizit tonë: artistë që ndajnë me sinqeritet punën e tyre, që respektojnë inteligjencën dhe ndjenjat e publikut, që nuk e shohin artin si një mjet për lojëra të lehta, dhe duan të lënë pas një trashëgimi.
@majkoffishal A e keni gjete hala dashnin e jetes ?
? KU JE FSHEHË - Majk
Ah, Majk… asgjë personale me ty. Por, dua atë Majk-un që dikur merrte vëmendje me hitet e tij që na mbeteshin në mendje dhe zemër. Kush nuk e kujton “Dashni” me atë refren që këndohej në çdo makinë apo “Nuk Dorëzohna”, që është ende himni i të rinjve shqiptarë?
Atë Majk-un që ishte kryefjala e çdo playlist-e dhe çdo feste. Për mua, ai është një nga tekstshkruesit më të mirë të gjeneratës së tij, me lirika të ndjera, të thjeshta dhe të thella, që flasin për dashurinë, dhimbjen, xhelozinë, fuqinë për të ecur përpara.
Është pikërisht ky Majk që dua.
Në fund të ditës, muzika, televizioni, filmi etj është art, dhe artit i duhet autenticitet. Publiku shqiptar ka treguar se vlerëson përmbajtje të mirë dhe reale. Prandaj, është koha që artistët tanë të ndalojnë së nënvlerësuari audiencën dhe të kthehen te ajo që dinë të bëjnë më mirë – të krijojnë art që frymëzon.
Nëse ke talent, nuk ke nevojë për skema. Dhe publiku do të të shpërblejë për këtë.