Më ndoqi pas gjithë javës me mesazhe. E nisëm thjesht, duke qeshur me disa batuta për profesionet tona, më pas kaluam duke folur për filmat, për pasionet dhe madje shkëmbyem edhe meme që nënkuptojnë një gjysmë afrimiteti tjetër. Por pastaj një ditë të bukur me diell: thjesht u zhduk. Në mes të bisedës u zhduk, pra nuk ma la seen, por ‘UNREAD’ dhe nga ai moment nuk dha asnjë shenjë jete. Asnjë fjalë, asnjë shpjegim. Dhe që nga ajo ditë kam në mendje vetëm një pyetje: a është kaq e vështirë për një burrë të jetë i sinqertë ditët e sotme? A është shumë të kërkosh nga një mashkull sot që të jetë i vetëdijshëm për ndjenjat e tij, çfarë do në jetë dhe të jetë i gatshëm të përballet me to?

As një “Më fal, mendoj se kjo nuk po funksionin dhe nuk jemi në të njëjtën linjë” apo “Kam njohur një person më interesant” – thjesht heshtje dhe një “seen” ose “unread”. Si mundet një mashkull pa asnjë paralajmërim, poof, hoodini, të zhduket?

Dhe jo, nuk po flas për burrat që janë të ngarkuar, që punojnë shumë, që preferojnë bisedat tete-a-tete; po flas për ata që mendojnë se është më e lehtë të zhduken sesa të jenë të sinqertë. Ironikisht, janë ata që shpesh të bëjnë hapin e parë, që pasohet me premtime të bukura e sinjale të qarta që duket se tregojnë interes. Deri në momentin kur – hop! – bëhen të padukshëm. Shkëputen si hajdutë që ikin me gjithë emocionet që të kanë lënë.

Nuk është hera e parë që e shoh këtë “metodë” të zhdukjes, dhe kam filluar ta shoh si një formë të veçantë mungese përgjegjësie – ose më saktë, si një mungesë totale të burrërisë. Në fund të fundit, nuk po pres ndonjë deklaratë dashurie si në filma romantikë, ku heroi i jetës sate të kap për dore e të thotë, “Je dashuria e jetës sime.” Një mesazh i thjeshtë, “Shiko, kjo gjë nuk po shkon gjëkundi”.

Dhe çfarë të mbetet? Të analizosh çdo detaj, çdo bisedë, duke u përpjekur të kuptosh “çfarë bëra gabim,” ndërkohë që e vërteta është që ti nuk bëre asgjë gabim. Ndoshta donte një “aventurë” të shpejtë ose thjesht nuk kishte guximin për të thënë “nuk jam i interesuar më.” Pyes veten, a po bëhem më e zgjuar në këtë sferën romantike kaq të ndërlikuar të gjeneratës sonë apo me kalimin e kohës thjesht po i meshkujt gjithnjë e më shumë me një sy dyshues? A mund ta quajmë këtë “pjekuri dhe skperiencë” apo është thjesht e gjitha një mësim për të mos humbur kohën tonë të vyer me një tjetër burracak?

Këta janë burrat e epokës ku jetojmë– hajdutët modernë që mendojnë se zhdukja është një zgjidhje, jo një shenjë e qartë e një karakteri të dobët.

Asgjë nuk tregon më mirë natyrën e një njeriu sesa mënyra si largohet –në këtë rast kemi të bëjmë fantazma të padukshëm. Si fantazmat, ekzistenca e tyre mbetet e mjegullt, pa formë e pa forcë të vërtetë – as për të qëndruar, as për t’u larguar siç duhet.