Liam Payne ka ndërruar jetë.


Ishte një natë e zakonshme scroll-imesh kur lexova e parë “Breaking news” nga SHBA. Një nga rastet e rralla kur po lutesha të ishte një lajm i rremë. Dhe pastaj lajmi përsëritej në median e dytë, të tretë…

Ja, realiteti i ashpër dhe lajmj i vërtetë: Liam Payne kishte ndërruar jetë.

Një ngjarje që m’u duk surrealiste mesnatën e të mërkurës dhe më duket ende e pabesueshme sot, pas dy ditësh.

Isha në shtrat kur mësova lajmin dhe u ngrita menjëherë, pasi e shpërndava me mikeshat e mia si për të kërkuar ngushëllim. Ashtu si unë edhe ato Directioner-e të zjarrta.


Atë natë mezi fjeta gjumë në orët e para të mëngjesit. Për herë të parë, vdekja e dikujt që kurrë nuk e kisha takuar personalisht, njohur jo e jo, më tronditi kaq shumë. Ky ishte fundi i një cikli, lamtumira një pjese të adoleshencës sime. Në çdo cep të internetit, fansa të dikurshme ndajnë të njëjtën dhimbje. Ndërsa në rininë tonë ndanim gëzimin e fëmijërisë me ta, tani ndajmë një boshllëk që nuk mund të mbushet kurrë më.


Për vite me radhë, edhe unë, si shumë të tjerë prisja e uroja ribashkimin e One Direction. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që ribashkimi i tyre do ishte kaq i hidhur: në funeralin e Liam Payne.


Payno, siç e thërrisnin, me zërin e tij engjëllor dhe frikën e tij të çuditshme nga lugët, marrëdhënien e tij me tjerët dhe ironinë e tij, hyri shpejt në zemrat e fansave.


E kam shumë të qartë kohën kur u dashurova me 5 djemtë me fytyra të pafajshme, buzëqeshje të pastra e flokë të bukura. Asokohe, TikTok nuk ekzistonte, por X Factori britanik ishte një sensacion në YouTube. Ende sot kam bllokun ku shkruaja tekstet e këngëve të tyre për t’i lexuar e mësuar; foto, postera e bluza. Në 9-vjeçare me shoqet pata kënduar në një aktivitet shkollor “Steal my girl” dhe unë kisha pikërisht pjesën e Liam. Që aty u lidha shumë me të, ndonëse duke u rritur nuk i shpëtova afeksionit pas Zayn.


Gjithsesi, fansat e grupit e dinë se të gjithë ishin po aq të rëndësishëm dhe të veçantë. “Me i nda si me i vra”- thotë një shprehje popullore shqiptare.


Vitet e fundit imazhi i Liamit nisi të merrte disa ngjyra të tjera pasi dolën në pah disa anë të cilat nuk i dinim, si përdorimi i tepërt i substancave dhe alkoolit, abuzimet dhe tradhtitë e dyshuara të denoncuara nga ish-i i tij, Maya Henry, deklaratat e forta dhe kontraverse me çunat e tjerë të grupit. Të gjithë e patën të vështirë të përpunonim këtë version të tij. Jeta u tregua aq brutale sa nuk patën kohë t’i jepnim një mundësi e tani na përballi me mungesën totale të tij.

 


Liam nga një kujtim i bukur i një kohe të pafajshme, u kthye në një kujtesë të trishtë të sfidave që edhe ata që janë në qendër të vëmendjes nuk arrijnë t’i shmangin: Fama, paratë dhe suksesi nuk janë asgjë përpara brishtësisë së shpirtit njerëzor. Nuk mjaftojnë! Dhe edhe në moshën 31 vjeçare mund të vdesësh.

 


Nuk ka rëndësi sa vite kalojnë, idhujt tanë të rinisë mbeten pjesë e thellë e jetës sonë. Dhe kur një prej tyre ikën nga kjo botë, ndihet sikur një pjesë e botës sonë largohet me ta.

 


«And I've been thinkin' about it lately, does it ever drive you crazy, just how fast the night changes?Everything that you've ever dreamed of disappearing when you wake up. But there's nothing to be afraid of even when the night changes, It will never change me and you».