Sot u zgjova dhe, si e diel që është, me qetësi po bëja atë xhiron e mëngjesit në rrjetet sociale me sytë gjysmë të mbyllur. Mes postimeve, më shfaqet përpara ky koment që me fjalë të tjera sugjeron se vajzat në Shqipëri nuk punojnë dhe janë materialiste. M'i hapi sytë më shpejt se ç'do m'i hapnin dy filxhanë kafe. S'e di për ju, por ky është një nga ato stereotipe që më ka ardhur në majë të hundës.
Sinqerisht, çdo herë që e has këtë lloj mendimi, më lind pyetja: kaq shumë nevojë keni për aprovime që bëni të tilla përgjithësime? Në çfarë realiteti jetoni? Vetëm në Bllok dhe te Rruga Salës?
Për çdo koment që thotë se vajzat shqiptare varen nga burrat, ka një vajzë që zgjohet herët, shpesh para çdo burri, për të filluar një ditë të gjatë pune rraskapitëse, për një rrogë qesharake. Ka një vajzë që e gdhin duke studiuar sepse pas shkolle ishte turni tretë dhe me atë rrogë nuk paguan dot as qiranë që detyrohet ta ndajë me shoqet. Ka një grua që kalon tërë ditën duke punuar dhe, shkon në shtëpi ku nis turnin e dytë të punës si e zonja e shtëpisë. Ka një vajzë infermiere që shërben në këmbë me energji që nuk i dihet nga vjen. Ka një vajzë mjeke që përballet çdo ditë me përgjegjësinë e shpëtimit të jetëve. Ka një vajzë që punojnë si arkitekte, duke dizajnuar të ardhmen. Ka një vajzë që punon në drejtësi duke u përballur me rreziqe. Ka një vajzë që punon shitëse, në fasoneri, market a restorante, që kur lodhja i ka mbuluar trupin dëgjon edhe dënglat e shefit të paaftë. Ka një vajzë që mban kopshtin, punon tokën, ngjit malet atje në një fshat të harruar. (Realitet që ju në komente as e keni parë) Ka një sipërmarrëse, që ka ngritur bizneset me shumë mund. Ka një nënë beqare, që nuk ka asnjë mbështetje, por ia del me punë të vështira. Ka një grua që duron dhunë nga një specie që quhet "burë" dhe i duhet të mbajë një shtëpi, të paguajë qiranë dhe të sigurojë çdo gjë që fëmijë e saj kanë nevojë. Ka një grua që bën sakrifica aq të mëdha sa që duhet të lëjë pas çdi nevojë personale.
Gocat dhe gratë shqiptare nuk presin asgjë nga askush. Ato janë aty. Ndoshta jo në Bllok, por kudo në Tiranë e Shqipëri. Por, ju refuzoni t'i shihni.
Sigurisht, nuk mund të mohohet se ka edhe nga ato vajza që i japin prioritet një jete më të lehtë, të bazuar te komoditeti që iu ofron dikush tjetër. Nuk është sekret që në çdo shoqëri ka individë që ndjekin rrugë të ndryshme. Po, dhe është një realitet që nuk mund ta injorojmë.
Por le të jemi të qartë: kurrë nuk përfaqësojnë shumicën dhe nuk janë fytyra e vërtetë e vajzave shqiptare.
Kjo antitezë e thjeshtuar dhe shpesh e përdorur si një klishe e pavend nuk reflekton realitetin. Vajzat shqiptare nuk janë këto klishe, ato janë e gjithë ajo që ndodhet përtej tyre – të forta, të pavarura dhe të afta për çdo gjë. Ndaj, ndryshoni perspektivën dhe filloni vlerësoni të vërtetat që janë më të mira se sa mitet që shpërndani.
Para se të komentoni "ajo/ato", niseni me "unë".