Me një axhendë tejet të ngjeshur, në teatrot më prestigjozë në botë Saimir Pirgu vijon të magjepsë publikun anekënd globit me interpretime brilante. 

Këtë herë bëhet fjalë për "Carmen", një vepër e njohur në nivel ndërkombëtar, e mbajtur në Cyrih, një bashkëprodhim me Opera Comique në Paris.

Regjisori Andreas Homoki arriti një përshtatje franceze, me shumë estetikë dhe pak rekuizita.

Ndër solistët e shfaqjes veçohet vetëm tenori Saimir Pirgu në rolin e Don José. Gianandrea Noseda drejton Filarmoninë e Cyrihut me dorë të mirë dhe pa patos artificial.

Në gazetën NZZ theksohej se opera ‘Carmen’ është një kafshatë e madhe për çdo teatër në botë, por Pirgu realizoi në mënyrë shembullore rolin dhe është cilësuar si tenor heroik.

Gazetari i njohur Christian Berzins vlerësoi Saimir Pirgun si interpretuesin më të mirë të mbrëmjes dhe sipas Berzins, partnerja Marina Viotti e pati paksa të vështirë të ndiqte profesionalizmin dhe potencën e Pirgut.

Carmen është bërë një nga operat më të njohura dhe më të shpeshta në kanunin klasik.

Opera është shkruar në zhanrin e opéra comique me numra muzikorë të ndarë me dialog. Tregon historinë e rënies së Don José, një ushtar naiv që joshet nga dredhitë e ciganes së zjarrtë Carmen. José braktis të dashurën e tij të fëmijërisë dhe braktis detyrat e tij ushtarake, megjithatë humbet dashurinë e Carmen për Escamillo,, pas së cilës José e vret atë me një xhelozi të tërbuar.

Përshkrimet e jetës proletare, imoraliteti dhe paligjshmëria, dhe vdekja tragjike e personazhit kryesor në skenë, hapën terren të ri në operën franceze që ishtë shumë i diskutueshëm.