Në mbyllje të vitit 2023 doja vërtetë të falenderoja të gjithë lexuesit e revistës Class online!

Me gjithë dashurinë e madhe që kam për median e printuar, gazetë apo revistë, për atë aromën e letrës së shtypshkronjës, mu desh 12 vite më parë të interpretoja siç duhet kohën dhe të shfaqeshim vetëm online.

Vizioni per te krijuar “Class Online”, ka qenë që të krijonim një platormë me shumë ndjekës, një “Komunitet”, që sot ai të përdoret si nje forum dy drejtimsh. Ne punojmë për lexuesin, por edhe ai mund te sjelle opinionin, qasjen, idenë e tij në këtë portal.

Përpiqemi të servirim “content” që frymëzon, informon , edukon, argëton, motivon në jetë dhe biznes, artikuj apo shprehje filozofike që shpesh të vënë në mendime. Më pëlqejnë shume artikujt që të bëjnë të reflektosh. Sic thotë një koleg i imi provinca është mentale, dhe sduhet Class të ishte vetëm panorama lokale e vëndit ku jetojme, por një vitrine që editon ngjarje, foto, ndjesi estetike, shije jete, pak aktualitet nga cdo anë e globit...

Ky komunitet i takon në fakt lexuesve, publikut.

Ndaj Class është një Hapësirë Publike ku janë të gjithë aksionerë moralë të rëndësishëm, çdo sy që na lexon e sheh, çdo dorë që na bën follow dhe na ndjek.

Website ka arritur edhe 1 milion lexues unikë në muaj.

Faqja e Instagramit është ndër më të ndjekurat e Website-ve Lifestyle në Shqipëri edhe pasi e nisëm nga zero sepse dy vite më parë na e vodhen një faqe te ndërtuar me mund.

Vetëm në muajin dhjetor, profili i Revista Class në instagram, numëronte 4.9 milionë “accounts reached” si provë e shpërndarjes se artikujve dhe postimeve. Për ne keto shifra do të thonë më shumë përgjegjësi. Është privilegj të jesh i dëgjuar dhe i ndjekur!

Sot kjo platformë duhet të vlejë për ata që duan dhe meritojnë një vitrinë që ndiqet, shihet dhe besohet.

Ndaj këtij komuniteti kemi përgjegjësinë dhe detyrimin t'i servirim cilësi, vërtetësi dhe verifikim të burimit të informacionit; mbi të gjitha frymëzim.

Po, frymëzim! Kemi dashur që përmes Class Online të jemi “story teller”/ tregues historish që na bëjnë të reflektojmë, të ëndërrojmë, të zgjojmë senset e jetës, dëshirën për sukses dhe për të ecur para, të promovojme heronj të gjeneratës, modele të mira sociale...

Kemi dashur të diferencohemi edhe përmes zgjedhjes së qartë qysh në krye të herës:
Që të mos përdorim për qëllime banale klikimesh jetët, dramat, emocionet e njerëzve deri aty ku etika personale dhe ajo profesionale nuk e lejon.

Nuk e kemi kërkuar skandalin, as ato që quhen “scoop-e” sepse ia kemi dalë të mbijetojmë e të jemi sistem referimi edhe kështu siç jemi.

Përpiqemi të sjellim informacion të shëndetshëm, sepse s’duam ta dhunojmë lexuesin; Ty.

Diku kemi qenë rozë, diku ju kemi argëtuar me video e informacione “të lehta” të cilat na kujtojnë që duhet “leggerezza” në jetë; boll pesha fatesh fatale çdo ditë jeta na ngarkon në kurriz.

Kam vlerësim për njerëzit vizionarë, për ata qe kane talent dhe mendime te guximshme, që jane dhe pak te cmëndur e besojnë që mund ta ndryshojnë botën; ata vërtetë mund ta bëjnë! I afrojmë gjithmonë në skuadrën tonë.

Kam luftuar për ëndrrat e mia, pa i prerë rrugën kujt dhe pa dëmtuar askënd. S'i kam marrë askujt asgjë nga ai qiell i pafund ku mund të shkëlqejnë miliarda yje.
Vazhdoj ta bëj, duke i dhënë nga drita që më keni falur ju, atyre që kanë nevojë të shkëlqejnë.

Që janë të rinj, të pambrojtur, pa shpresë, pa mundësi financiare.

Ndaj Class Online është sot një platformë që jo vetëm promovon përmes artikujve aftësinë dhe talentin e njerëzve të njohur dhe më pak të njohur, por hap derën për çdokënd që ka dëshirë të shkruajë një opinion apo editorial nisur nga një ide që bën impakt.

Me këtë mendim ka nisur regjistrimi i episodave të para të PODKASTIT, i cili quhet “Inspire” dhe reflekton të njëjtën filozofi. Është produkt i Revista Class dhe pres me padurim ta ndaj me ju, në kanalin tonë të You Tube / Class Media.
Kam qenë gjithë jetën produkt i punës, asnjëherë konjukturale, asnjëherë s'e kam shitur dinjitetin tim për para, asnjëherë nuk do bëhesha pre e skemave përfituese duke i shërbyer të padrejtës, interesit, amoralietit. Asnjëherë.

Në jetë të gjithë mund të bëjmë diferencën me shembuj personalë, shembuj jete, shembuj pune të ndërtuara mbi disa parime që për mua janë të shenjta.

Parimi i Lirisë

Sa fat i madh është që Shqipëria që jeton brezi im sot nuk i nënshtrohet diktaturës që s'jepte asnjë ospion tjetër, që nuk jemi në luftë për ta parë botën nga sytë e Anne Frank ( edhe pse bota përtej Shqiperisë ka zona lufte të përgjakura), që pandemia duket sikur ka përfunduar...

Jemi të lirë nga këto pengesa. Por të mos harrojmë që parimi i lirisë thotë “liria ime përfundon aty ku nis liria jote”. Mos prek aty ku dëmton dhe lëndon.

Parimi i Karmës

Po, ata që nisen nga e mira dhe bëjnë mirë, mirë do të gjejnë! Më ka shpërblyer gjithmonë kjo.

Parimi i zemërgjerësisë

Suksesi nuk mund te jetë vetëm personal. Përmes tij duhet të sjellim impakt tek të tjerët. Të ndajmë platformat, hapësirat, dhe të mirat materiale me të tjerët.

Parimi i Talentit

Ai duhet vlerësuar gjithmonë. çdo arritje duhet vlerësuar e duartrokitur. Mendjet e vogla dhe të ngushta janë skeptike për suksesin e tjetrit në çdo fushë. Investigojnë, bëjnë polemike, kontestojnë.

Demokratizimi medias i ka dhënë të gjithëve mundësinë të shprehin sot budallallëkun apo mençurinë e tyre njësoj.

Lum kush di të bëhet i dobishëm.

Parimi i Mendimit Kritik

Kam pasur gjithmonë vlerësim të veçantë për njerëzit që kanë ditur të qasen në një bisedë, debat publik, intervistë apo artikull, me argument. Përqafoj kritikën konstruktive kur ajo bëhet nga njerëz me mend, që kanë studiuar e janë shkolluar, që mbështesin qëndrimin e tyre mbi dijen, që kanë integritet dhe janë të besueshëm, që mbi të gjitha kanë një ekuilibër personal. Kapelen atyre gjithmonë.

Por, përçmoj çdo lloj kritike që bëhet për axhendën personale të njerëzve të vegjël në thelb, apo dikujt që punon për të ushqyer një tjetër meskin që si duhet as vetes.

Parimi i Mirënjohjes

Le të falenderojmë çdo ditë njerëzit që janë me ne në të mirë e në të keq. T'i jemi mirënjohës familjes që na do pa kushte. T'i jemi mirënjohës Zotit... Kolegëve dhe skuadrave pa të cilat idetë do ishin vetëm ide në letër, me ta bëhen materie e prekshme.

Unë personalisht i kam qenë gjithmonë mirënjohëse edhe Shqipërisë dhe kur antishqiptarët kanë dashur të ma vënë kundër.

Si shqiponja krenare, më pëlqen të fluturojë lart. Kjo s'më bën as të veçantë, as të jashtëzakonshme, as patriote të zjarrtë. Shqipet kështu janë...

Parimi i Kapitalizmit dhe Ekonomisë së Tregut

Shoqëritë post-komuniste lëngojnë ende pasojat e parimit të barazisë. Jemi të gjithë të barabartë.

Jo, nuk jemi. Dhe s'ka pse të jetë homogjene bota. Për sa kohë nuk abuzohet mbi të mirën publike, dhe marrëdhëniet me shtetin dhe institucionet janë korrekte, le të celebrojmë cilindo sipërmarrës në çdo fushë që për ekonominë e këtij vendi ka bërë diçka.

Dhe le të dënojmë patjetër pëmes mediave të posaçme gjithçka që shkel parimet e së drejtës, abuzon apo përfiton në mënyrë të paligjshme dhe të pandershme në kurriz të masave.

Parimi i Dashurisë, Jetës së bukur me pak qasje Hedoniste.

Me këtë nënkuptoj që është shumë e rëndësishme të punojmë; puna është një dashuri e madhe në jetë që s'të tradhëton kurrë. Por, ajo vlen nëse vendoset në funksion të një jetë të bukur që bëhet më e mirë sepse punojmë më shumë. Punojmë për të jetuar, nuk jetojmë vetëm për të punuar. Përmes kësaj filozofie i kujtojmë njerëzve që është e mrekullueshme vërtetë të kesh mundësi të jetosh si në një vallëzim dashurie.

E shohin kështu jetën ata që në formim kanë lexuar libra, kanë udhëtuar përmes biblotekës së librave në mendje e shpirtra autorësh dhe personazhesh të jashtezakonshëm historik apo imagjinarë.

Ata që kanë dëgjuar muzikë dhe kanë parë filma, ata që lexojnë poezi dhe emocionohen, që vizitojnë muze pikturash e skultpurash apo galeri arti dhe kuptojnë se si mund të bëhesh i pavdekshëm kur lë pas një vepër që do ta kujtojnë për mirë; edhe sikur kjo të ishte receta e një biskote unike apo një reçeli me petale trendafili si ai që një grua e bukur më dhuroi në Himarë.

Këta janë njerëzit e pasur vërtetë.

Këtë pasuri mund ta bëjnë ata që kanë zemër të madhe dhe shpirt e mendje të bukur.

Nuk kushton. Nuk blihet as shitet me para!

Gëzuar nga të gjithë gazetarët e palodhur të Class Online dhe shpresojmë në një 2024 të mbushur me ngjarje të bukura, që frymëzojnë!

Po lexoja një shkrim sot në mëngjes i cili thoshte se deti i fantazisë së ngrirë të të rriturve, nuk gjen asgjë interesante tek slita e Babadimrit që vjen nga Poli.

Dhe se jeta është bërë e zymtë, e mërzitshme, dhe shumë konkrete. Kishte të drejtë! Kemi kaq shumë nevojë të gjejmë magjinë dhe muzikën tek zilet e festës, tek kristalet e dëborës, tek zhurma e slitave që rrëshqasin në mënyrë imagjinare nga Lapland në Finlande në çdo dritare shtëpie të zbukuruar me drita, tek hapat që zhyten në dëborën e freskët, tek liqenet e ngrira ku njerëzit mund të rrëshqasin duke bërë patinazh në akull, tek zemra e një snowmani të dashuruar të cilin e vendosën pranë zemrës së një vajze që e deshi, dhe ai shkriu; veç zemra i mbeti...

Gëzuar!