Disa fjalë për romanin 'KOMPLOTI' nga Ben Blushi, i cili ishte një nga librat më të shitur gjatë panairit të librit, në stendën e shtëpisë botuese PEGI.
Ngjarjet e romanit zhvillohen në vitin 2044, kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh afgan, ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar mjaft. Afganët, që tashmë thuajse janë shndërruar në shtet brenda shtetit, kërkojnë të pushtojnë Kosovën për të krijuar një shtet më të madh, ose një Afganistan të ri në mes të Europës.
Një plan që shqiptarëve çuditërisht nuk u pëlqen, por nuk kanë forcë ta kundërshtojnë. Rreshtimi i Amerikës dhe Rusisë në këtë konflikt mes shqiptarëve dhe afganëve mund të shkaktojë një Luftë të Tretë Botërore. Në këtë lojë futen edhe tre hebrenj të krisur që, për arsye të ndryshme, përpiqen të thurin një komplot për të penguar pushtimin e Kosovës nga Shqipëria dhe aleancën e kësaj të fundit me Amerikën.
Tre hebrenjtë do të luajnë deri në fund gjithë fijet e një konspiracioni, fundi i të cilit do të jetë befasues dhe i paimagjinueshëm për të gjithë.
Mbi autorin
Romani “Komploti” është botimi i dhjetë i Ben Blushit. Ai e ka filluar krijimtarinë letrare me vëllimin “100 ushtarë”, mandej me romanet “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës”, “Shqipëria”, “Kandidati” dhe “Kryeministri”; esetë politike “Hëna e Shqipërisë” dhe “Letër një Socialisti”; librin me portrete “41 sekrete”.
Ben Blushi është nderuar me çmime të ndryshme letrare, si çmimi “Kult” (2015) si eseist i vitit për “Hëna e Shqipërisë”, çmimi Europian për Letërsinë (2014) për romanin “Otello, Arapi i Vlorës”, çmimi “Lumo Skëndo” (2022) për “41 sekrete”. Së fundi Ben Blushi i është kushtuar artit të fotografisë.
Fragmente nga libri:
1) Atë natë, Mohamedi dhe Agetina fjetën bashkë, pa folur asnjë fjalë, por duke u përpjekur të bënin detyrën e tyre, u kryqëzuan, u rrotulluan dhe u ndanë atëherë kur Agetina kuptoi se diçka fëshfëriti në barkun e saj, ndërsa ai, duke menduar se pasi të bëhej kryetar i bashkisë, do të ngrinte diku përballë detit, me fytyrë nga Europa, bustin e stërstërgjyshit të tij, Ahmed Durranit të Madh, njeriut që kishte pushtuar Azinë për të krijuar Afganistanin.
2) Mohamed Durrani ndihej i lumtur dhe duke parë familjen e vet, mendonte se ndryshe nga shumë afganë të tjerë, ai nuk do të donte të kthehej më në Afganistan, edhe nëse talebanët rrëzoheshin nga pushteti. Shqipëria ishte atdheu i tij i dytë dhe ndërsa shihte njerëzit që e përshëndesnin me dorë, u kthye nga Agetina dhe e pyeti: A mendon se shqiptarët më duan? Agetina e pa në sy dhe u përgjigj: Shqiptarët i duan gjithmonë pushtuesit, kurse ti je si ata, sepse vjen nga një vend i pushtuar.
3) Ai nuk përçmonte asgjë më shumë se një provincial. Sipas tij, provinciali është burimi i të gjitha të këqijave të kësaj bote dhe në përgjithësi, provinca me kufizimet dhe komplekset e saj, ishte lavatriçja më e madhe e karaktereve njerëzore, të cilat i shtrydhte, i dridhte, i përdridhte dhe i thante deri në poshtërim. Një provincial nuk ishte asnjëherë ai që ishte ose ai që mendonte se ishte, ose ai që do të donte të ishte. Kjo ishte teoria e tij për provincialin. Provinciali ishte gjithmonë mashtrues, dinak dhe përherë i shëmtuar.
View this post on Instagram
Titulli: Komploti
Autor: Ben Blushi
Zhanri: Roman
Data e botimit: nëntor, 2023
Numri i faqeve: 277
Çmimi: 1400 lekë