Është një shprehje shumë e bukur shqiptare që thotë "Mos qesh në shokë se të bie në kokë". Më erdhi në mendje sapo pashë që Fero i qenka futur biznesit pas tërheqjes nga muzika. Jo, nuk e ka thënë Fero këtë gjë, por me siguri e ka nxjerrë si mësim. 

Në fakt kur u pyet para disa javësh se cili do jetë burimi i tij i të ardhurave pas largimit nga muzika, ai tha: 

“Allahu e furnizon edhe një zog në mal. Për mua nuk ka vlerë as pasuria, as gjërat materiale nuk kanë vlerë. Kur e kam kuptur unë këtë, kam nisur edhe ta praktikoj. Për hir të Allahut i kam lënë të gjitha gjërat. Allahu ia siguron robit të vetë riskun. Edhe unë e kam pasur frikën se po humbas shumë. Po humbas para dhe oferta. Para se të udhëzohem e kam pasur një ftesë nga “Big Brother”. Por, për hir të Allahut e refuzova.”

Gjithsesi, tani ai ka njoftuar se do hapë një Fast Food. Që për më tepër i ka vendosur emrin e tij. Okay, shumë bukur, të gjithë lëmë kokën pas Fast Food. Dhe tani që po shkruaj po imagjinoj një sufllaqe, por jeta e shëndetshme që kam zgjedhur nuk më lejon të ha. 

Nejse, se do flasim në artikuj të tjerë për ushqimin. Për tu rikthyer te shprehja e famshme që iu fola në fillim, Fero gjatë përplasjeve me rivalin e tij, Unikkatil, është tallur gjithmonë se ai ka një piceri në SHBA. Fero ka postuar pafund video duke u tallur me reperin që i ka vendosur edhe emrin "picamen". Sipas tij, asokohe kur ishte ende "bad boy" të merreshe me Fast Food dhe piceri ishte ofendim dhe fyerje. 

Dhe ja ku është sot Fero me një Fast Food. Epo, meqë pretendon se ka ndryshuar dhe ka nisur një jetë të re, duket se ka ndryshuar edhe pikëpamjet mbi biznesin. 

Bota është portokall, të dashur njerëz!