Ueda dhe Arlindi janë fituesit e edicionit të parë të Love Island Albania që mbylli siparin në ekranin e televizionit Klan.
Përveç dashurisë që gjetën tek njëri-tjetri, ata fituan edhe çmimin e madh prej 50 mijë Eurosh.
Në vend të dytë u rendit Amadea dhe Haris, ndërsa në vend të tretë Erida dhe Aleksandros.
Ndërkohë që Aisha dhe Everaldo ishin çifti i parë që u skualifikua nga vota e publikut.
Nata finale dhuroi shumë surpriza dhe emocione, teksa Aleksandros dhe Erida i deklaruan njëri-tjetrit dashurinë, ndërsa Arlindi i dha unazën e fejesës Uedës.
Ndërkohë që personazhe të njohur të artit dhe sportit u bënë pjesë e spektaklit duke shprehur mbështetje për çiftet e preferuara.
Debatet mes çifteve nga vila në Palasë u transferuan edhe në studion e dashurisë që ishte krijuar enkas për finalistët në ambientet e televizionit Klan.
Përfundon kështu pas më shumë se dy muajsh rrugëtimi i edicionit të parë i Love Island Albania, formatit më të ndjekur për momentin në të gjithë botën, që për herë të parë në vendin tonë u soll nga Televizioni Klan.