Indeksi i Grave, Paqes dhe Sigurisë 2023 ka renditur vendet në mbarë botën për sa i përket statusit të grave. Instituti i Kërkimeve të Paqes në Oslo (PRIO), i cili ishte bashkautor i studimit, zbuloi se shumë nga vendet më të mira në botë për të qenë grua janë në Europë, megjithëse ka ndryshime të konsiderueshme në të gjithë rajonin.
Kosova është vendi i dytë më i keq në Evropë për të jetuar si grua.

Vendet e dyta dhe të treta më të këqija për të qenë femra në Evropë janë Kosova dhe Azerbajxhani, përkatësisht”. Mediumi ka nxjerrë raportin vetëm për Evropë, ndërsa në ranglistën botërore Kosova qëndron në pozitën e 100-të. Në të dhëna janë matur përfshirja, drejtësia dhe siguria për gratë. Janë përdorur 13 matës nga shkollimi deri te ligjet e punësimit e tek perceptimi për sigurinë dhe dhunën. Shqipëria renditet në vendin e 45-të në botë.

Nëntë nga dhjetë shtetet më të mira të botës për të qenë grua janë në Evropë. Danimarka i prin listës, me trefish më shumë pikë se Afganistani që është vendi i fundit. Pas Danimarkës, në renditje janë Zvicra dhe Suedia.

Ukraina është e fundit në Evropë, nga 41 shtete, që performoi tejet ulët në sektorin e sigurisë, për shkak të luftës.
Pikët e ulëta për Kosovën iu atribuuan shkollimit të dobët dhe nivelit të ulët të punësimit për gratë si dhe “niveleve shumë të larta” të vdekjeve të grave gjatë lindjeve.

Shqipëria renditet në vendin e 34-të në Europë, një shkallë më sipër se Greqia dhe në vendin 45/177 në botë. Referuar të dhënave, në Shqipëri ka pasur rritje të viteve mesatare të shkollimit të vajzave, në përfshirjen financiare të grave, pjesëmarrjen e tyre në parlament si edhe në perceptimin e grave për sigurinë në komunitet.