Orët e para të mëngjesit, ditën e hënë, zhurma e një kallashnikovi, pulmbat e të cilit dolën me breshëri, u dëgjua në ambientet pranë Top Channel, ku si pasojë humbi jetën punonjësi i sigurisë, Pal Koka, 60 vjeç.
Midis shumë personazheve të njohur, në lidhje me këtë reagoi dhe një nga figurat më të rëndësishme të TCH, Arbana Osmani, e cila shkruan se "Shqipëria nuk meriton të përgjaket nga terrori, urrejtja dhe vandalizmat."
"Sot, me vrasjen e Palit te ndjerë, jemi vrarë nga pak të gjithë ne. Jo vetëm ne që në atë vend kalojmë më shumë kohë se në shtëpitë tona dhe mund të ishim duke dalë nga puna në atë moment; por të gjithë ne si qytetarë të kësaj Shqipërie që nuk meriton të përgjaket nga terrori, urrejtja dhe vandalizmat," shkruan ajo.
"Këto 24 orë kanë kanë qenë të vështira për mua dhe gjithë kolegët e mi dhe nuk është e thjeshtë të gjej fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen, trishtimin dhe zemëratën që ndiej. Por është kjo media e cila në të gjithë këto vite na ka shpërblyer edhe me një publik dashamirës, frymëzues e solidar. Shikues e publik që gjatë gjithë ditës sot nuk i ka kursyer mesazhet kurajoze ndaj nesh dhe për këtë ju jam falenderuese gjithmonë."
"Nuk gjej fjalë për të ngushëlluar 3 femijët e Palit që sot humbën babain, përveçse të lutem që Zoti t’ju japë forcë të përballojnë humbjen e një njeriu të pafajshëm që sot është heroi im dhe i qindra kolegëve. Bashkë do jemi më të fortë," përfundon Arbana.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sekuestrimin e provave që mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.