Ofendimet, kërcënimet, seksizmi, dhuna e deri te aludimet "do e vrisje?", panorama në mediat shqiptare(si tradicionale, ashtu edhe në mediat e reja) duket shqetësuese. Në fakt e tillë ka qenë gjithmonë, por me përhapjen dhe vëmendjen e madhe të programeve të ashtuquajtura "trash", po ngrihet shumë pikëpyetje lidhur me misionin e televizionit. A janë të gjitha këto të lejuara në një kohë kur shkatërrimi kibernetik që po i ndodh botës është si një luftë e katërt botërore? Po, reality-showt i parashikojnë të gjitha, por a ka një kod etik? Sepse para argëtimi, funksionet e mediat janë informimi dhe edukimi.

Liria e shprehjes është një ndër të drejtat themelore të garantuara nga instrumentet ligjore kombëtare si dhe ndërkombëtare. Por, si çdo liri tjetër, edhe liria e shprehjes has dhe i nënshtrohet kufizimeve të caktuara. Jemi dakord me Amos Zaharian që të "luftojë" kundër Luiz Ejllit dhe bëjë çmos për të fituar një lojë mendore si "Big Brother VIP". Por, mbetemi të skandalizuar kur ai mitizon dhunën dhe merr rolin e Zotit, -jo të ligjit sepse ligji nuk dënon dikë që thotë jam sëmurë dhe nuk është-, për të ndërshkuar një person. Biseda e tij me Kristi Aliajn ka qenë sot kudo në mediat sociale. "Do e vrisje?"- pyet Kristi Amosin i cili i përgjigjet: "Do ta çoja në mal, do ta zhvishja lakuriq, do ta xhiroj dhe do t'i thoja "Kërko falje". Edhe pastaj shihe ti a i jep më gojës."

Ashtu siç ishte kudo në media dhuna fizike mes dy konkurrenteve në dating-show Për'puthen. Lea dhe Irisi tronditën opinionin publik jo vetëm se prishën miqësinë e tyre për hir të një djali, por arritën në dhunë fizike në një televizion kombëtar. Skenë e përsëritur pasi sezonin e kaluar ishin dy djemë ata që patën përplasje fizike.

Ashtu siç ishte kudo në media shpërthimet e opinionistit Robert Aliaj në një tjetër dating-show "Love Story” me një gjuhë të papërshtatshme ndaj vajzave.

Ashtu siç ishte kudo në media Kejvina Kthella që i përmend Luizit babain e ndjerë dhe e kërcënon me të atin.

Ashtu siç ishin shumë e shumë e shumë raste të tjera...

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes, promovimi i dhunës, fjalori i papërshtatshëm dhe vulgar, janë të rëndësishme për t'u marrë parasysh, pasi përfaqësojnë modelin ideal të kopjimit për të miturit dhe të rinjt. Shpesh ndodh që shërbimet mediatike audiovizive shërbejnë si bazë për vendosjen dhe miratimin e frazave të gjuhës popullore, duke u bërë mënyra dhe modë e re e shprehjes gjuhësore te të miturit. Kështu, hapin rrugën që një komunikim i tillë të bëhet nornal.

Në epokën e digjitalizimit, fjala mbërrin më shpejt se era dhe bashkë me shumë të mira që ka ky proces, merr me vete edhe elementë negativë, siç është gjuha e urrejtjes.

Po, është detyrë e qeverive dhe enteve rreguatore të krijojnë dhe sigurojnë miratimin efektiv dhe zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e të miturvr. Por, po ashtu është detyrë edhe e gjithë anëtarëve të shoqërisë -sidomos MEDIAS- të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë nga këto elemente të dëmshme.

Reality-showt konsiderohen si zbavitje, por marrin forma të shumta nëpër zhanre të ndryshme dhe mbi të gjitha gëzojnë popullaritet të madh. Andaj, përmbajtja e tyre në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtojë zhvillimin moral, mendor dhe fizik, e aq më tepër të promovojnë dhunën, sjelljen e rrezikshme, lakuriqësinë, gjuhën ofenduese, etj.

Ekspertët në vendin tonë jo rrallëherë kanë theksuar nevojën për nxitjen e aktivitete dhe veprime që kanë të bëjnë me mediat, edukimin rreth informimit dhe internetit. Ashtu siç është mbrojtja e të miturve detyrë për të gjithë, ashtu është edhe detyra e përhapjes së njohurive, dhe secili prej ‘aktorëve’ mund dhe duhet ta kenë rolin e tyre të caktuar. Roli i medias është dhe duhet të mbetet në ballë të iniciativave për edukim mediatik.

Meqenëse përhapja e retorikës së urrejtjes mund të jetë një paralajmërim i hershëm i dhunës kufizimi i gjuhës së urrejtjes mund të kontribuojë në zbutjen e ndikimit të saj. Instancat përkatëse gjithashtu duhet të mbajnë përgjegjësi, për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

Por deri atëherë, kjo do mbetet si një pandemi, e rrezikshme, që duhet të marrë fund menjëherë sepse po përhapet me shpejtësi, por që nuk e ka ende një vaksinë.

Burimet: Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Autoritetin e Mediave Audiovizive; Studim i KE: Autoritetet rregullatore të mediave dhe mbrotja e të miturve; Council of Europe Portal; OSCE.org; Washington Post.