Ditën e sotme Shqipëria feston 110 vjetorin si shtet i pavarur. Më 28 nëntor të vitit 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet të pavarur dhe sovran. Kjo është një nga ditët më të rëndësishme për mbarë shqiptarët kudo në botë dhe në trojet shqipfolëse.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
Si do festojnë shqiptarët sot?
Presidenti Bajram Begaj do mbajë pritjen shtetërore të rastit. Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë do organizojnë javën festive, me evente që do të shtrihen në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe do të kulmojnë me koncertin madhështor “110 vjet Forca të Armatosura-Së bashku për Paqen”, në datën 3 dhjetor 2022. Po ashtu, në mbrëmje Dua Lipa do performojë në sheshin ‘Skënderbej’ enkas për Pavarësinë.
Në Kosovë kryeministri Albin Kurti do të mbajë homazhe në bustin e heroit Gjergj Kastriot Skëndërbeut dhe atë të Adem Jasharit.
Në New York komuniteti shqiptar do të ngrejë flamuri Kuq e Zi në Bergen County.