Nje nga baletet me te famshme te botes, Arrethyesi, me muzike nga Cajkovski, ringjitet ne Teatrin Kombetar te Operes dhe Baletit, me premieren ne daten 14 shkurt duke vazhduar ne 15, 20 dhe 21 shkurt.

Balet me dy akte nga Pyotr Ilyich Tchaikovsky

Bazuar në historinë « Arrëthyesi dhe Mbreti Miush » nga E.T.A. Hoffmann

Koreografia: Ilir Kerni (sipas Marius Petipa dhe Lev Ivanov)

As/Koreografe: Alisa Gjoni

Baletmaestër : Rovena Shqevi

Skenografia: Zorz Drausnik

Kostumet: Elva Bella

 

Trupa e Baletit të TKOB

Me pjesëmarrjen e nxënësve të Shkollës së Baletit

Orkestra Simfonike e TKOB

Dirigjent : Manuel Busto

 

Përmbajtja:

Akti 1

Skena 1: Shtëpia e Z. Stahlbaum

Në prag të Krishtlindjeve, familjarë dhe miq janë mbledhur në sallonin e shtëpisë për të zbukuruar pemën e bukur të Krishtlindjeve në vigjilje të festës. Pasi e përfundojnë atë, vijnë fëmijët, të cilët qëndrojnë të mahnitur përpara pemës që vezullon nga dritat dhe zbukurimet.

 

Fillon festa nën tingujt e një marshi. Fëmijëve iu shpërndahen dhurata. Papritur kur ora e vjetër tingëllon 8, në dhomë hyn një personazh misterioz. Është Droselmajer, një këshilltar lokal i cili është edhe magjistar dhe njëkohësisht gjyshi i Klarës. Ai është shumë i talentuar në prodhimin e lodrave dhe ka sjellë me vete shumë dhurata për fëmijët dhe mes tyre 4 kukulla që ngjajnë si të vërteta të cilat vallëzojnë para vështrimeve të mahnitura të të prainshmëve. Pasi performanca përfundon, ai i merr kukullat për t’i ruajtur në një vend të sigurtë.

Klara dhe Fritz trishtohen kur kukullat largohen, por Drosselmeyer ka akoma edhe një lodër për ta: një arrëthyes të drunjtë i cili është gdhendur në formën e një burri të vogël e që shërben për të thyer arrat. Fëmijët e tjerë i kthejnë kurrizin kukullës, por Klara e pëlqen shumë. Fritz me qëllim e përplas dhe e thyen. Klara trishtohet.

Gjatë natës, kur të gjithë janë duke fjetur, Klara kthehet në sallon për të parë arrëthyesin e saj të dashur. Ajo i afrohet shtratit të vogël, kur ora tingëllon mesnatë dhe shikon aty Drosselmeyer. Papritur dhoma fillon të mbushet me minj dhe pema e Krishtlindjeve fillon të zmadhohet. Edhe arrëthyesi merr përmasa njerëzore dhe Klara e gjen veten në mes të luftës mes një ushtrie biskotash dhe minjsh të udhëhequra nga komandanti i tyre. Ata fillojnë të hanë ushtarët prej biskote.

Arrëthyesi është ai që udhëheq ushtarët prej biskote të cilëve iu bashkohen edhe kukullat e tjera të cilët shërbejnë si infermierë dhe doktorë që marrin të plagosurit. Ndërkohë që mbreti i minjve i afrohet arrëthyesit të plagosur, Klara e gjuan me këpucën e saj duke i tërhequr vëmendjen. Kaq mjafton që arrëthyesi ta godasë me thikë.

Skena 2: Një pyll me pisha

Minjtë tërhiqen dhe arrëthyesi transformohet në një princ të bukur. Princi e merr Klarën me vete në natën e ndriçuar nga hëna, në një pyll me pisha ndërkohë që flokët e borës bien rreth tyre në një vallëzim që i shtyn ata drejt mbretërisë së tij.

 Akti 2

Skena 1: Toka e ëmbëlsirave

Klara dhe Princi udhëtojnë në tokën e bukur të ëmbëlsirave, në të cilën Zana e sheqerit ka mbretëruar deri sa vetë princi të kthehej. Ai i tregon asaj per betejën me mbretin e minjve dhe se si Klara i shpëtoi jetën dhe për transformimin e tij përsëri në një princ.

Për nder të heroinës së re, nisin festimet me ëmbëlsira nga e gjithë bota, çokollatë nga Spanja, kafe nga Arabia, çaj nga Kina dhe shkopa sheqeri nga Rusia. Të gjithë vallëzojnë e gëzojnë; bareshat daneze performojnë në flaut, biskotat e vogla prej xhinxheri vallëzojnë rreth nënës së tyre, një varg lulesh të bukura vallëzojnë një vals dhe për ta mbyllur në bukuri vetë Zana e sheqerit dhe Kavalieri i saj bashkohen në vallëzim. 

Pasi një vals final vallëzohet nga gjithë të pranishmit, zana e sheqerit merr Klarën dhe Princin përdore dhe pasi i jep një puthje Klarës i shtyn ata të ngjiten në slitën e tërhequr nga drerët. Ata largohen në mes përshëndetjesh nga të gjithë të pranishmit.

Pyotr Ilyich Tchaikovsky (1840 –1893), ishte një kompozitor rus i periudhës së vonshme romantike. Disa nga krijimet e tij janë ndër më të famshmet e repertorit klasik. Ai ishte kompozitori i parë rus i cili ka qënë i njohur ndërkombtarisht dhe që ka drejtuar orkestra në Europë dhe SHBA. Në 1884 ai është nderuar nga Perandori Aleksandri III dhe i është caktuar pension i përjetshëm.

Edhe pse me një talent të madh muzikor, Tchaikovsky u arsimua si punonjës civil duke qenë se në Rusinë e kohës nuk ekzistonte një sistem për edukimin në fushën e muzikës. Këtë mundësi ai e pati vetëm në vitin 1865, vit kur edhe u diplomua në Konservatorin e Shën Petersburgut.

Formimi muzikor që ai mori ishte më shumë i nxtur nga praktikat perëndimore dhe kjo gjë e dallonte atë nga kompozitorët e tjerë rus të kohës të cilët ishin më nacionalistë. Kështu edukimi i tij e çoi drejt një rruge ku iu desh të bashkonte muzikën vendase të brumosur tek ai qysh në vegjëli me atë që ai kishte mësuar. Nga kjo shkrirje ai ndërtoi një stil personal tipik rus – një detyrë e cila nuk ishte e lehtë pasi të gjitha principet në thelb të stilit rus të muzikës shkonin në drejtim të kundërt me krijimet e kompozitorëve perëndimorë evropianë.

Pavarësisht sukseseve të tij, jeta e Tchaikovsky-t u prek nga kriza personale dhe depresioni të ndikuara nga ndarja me nënën dhe më pas nga vdekja e saj, vdekja e miku të tij më të mirë të shkollës Nikolai Rubinstein, si dhe ndarja nga marrëdhënia 13-vjecare me të venë e pasur Nadezhda von Meck. Tchaikovsky ka vdekur në moshën 53 vjecare.