Për herë të parë këtë vit, në Shqipëri dhe në Kosovë do të nisë përdorimin një Abetare e përbashkët, e cila ka nisur tashmë të shpërndahet në të dyja vendet. Sot, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka takuar një grup mësuesish të klasave të para, të cilët do t’i nënshtrohen trajnimit për Abetaren e re të Përbashkët Unike që do të përdoret në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.

Në një publikim në rrjete sociale ministrja Kushi shkruan:

“Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor.

Nuk mund të nisnim më mbarë sesa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi.”

Duke qenë se viti i ri shkollor 2022-2023 nis më parë në Kosovë më 1 shtator, e më pas në Shqipëri me 12 shtator, ministrja Kushi më 1 shtator, së bashku me homologen e saj Arbërie Nagavci, do të bëjnë prezantimin e parë të abetares unike për nxënësit e klasave të para.

Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit".

Autoret e Abetares së përbashkët janë Mimoza Gjokutaj, Tereza Babasuli, Naser Zabeli dhe Saranda Bozhegu.