Nuk janë të paktë artistët anembanë botës që e shijojnë jashtëzakonisht vëmendjen e publikut, ashtu siç ka edhe shumë të tjerë që kjo pjesë u jep bezdi, u krijon ankth, i privon nga e përditshmja që ne, të gjallët e tjerë, e jetojmë pa rënë në sy dhe si të duam. Sepse nuk na njeh bota mbarë dhe askush nuk shtrembëron buzët nëse jemi një ditë të veshur keq, një ditë pa grim apo një ditë tjetër me flokë të shpupuritur.
Personazhet e njohur janë gjithmonë të ndarë në dy kur bëhet fjalë për vëmendjen; ata që bëjnë çmos ta kenë e t’u pëlqejnë me çdo kusht të gjithëve e të tjerë që, sado janë të famshëm, kanë qejf që pjesën tjetër jashtë famës ta jetojnë si të gjithë; të dalin, të qeshin, të pengohen në rrugë, të bëjnë pazare... Në fund të fundit, të jetojnë si njerëz.
Një prej atyre që fitoi menjëherë pëlqimin dhe mori vëmendjen e publikut ishte edhe bukuroshja që, sidomos futbolldashësit, nuk kanë për ta harruar lehtë. Edhe pse “goditja” e saj e parë me publikun nuk ishte nga stadiumi, ajo diti që ta shfrytëzojë mirë edhe këtë të fundit për t’u bërë një prej portreteve më të dashura të tifozëve. Më seksi, të themi më mirë (që të jemi të sinqertë)...
Rike Roçin, me siguri që e kujtoni të gjithë që nga edicioni i gjashtë i Big Brother. Kanë kaluar shumë vite që atëherë dhe, si për të gjithë ish-konkurrentët e Big Brother në vite, jeta i është rikthyer realitetit – herë të njëllojtë e herë jo. Një pjesë e mirë e tyre, pothuaj janë harruar menjëherë sapo lanë shtëpinë e iu rikthyen jetës së pazhurmë. Por kjo nuk ndodhi me të gjithë. Sepse pati nga ata që morën famë nga shtëpia dhe e “përdorën” edhe jashtë saj.
Bukuroshja shqiptare, me diksionin italian të gjuhës së folur që në fëmijëri, erdhi në Shqipëri për të jetuar një realitet ndryshe. Ndonëse iu rikthye shpejt jetës së saj pas Big Brother, Rikja do të ndryshonte paksa rutinën për ta bërë më shpesh rrugën Itali – Shqipëri tani që e njihnin të gjithë. Dhe që e donin të gjithë... Derisa pak vite më vonë, fotot e Rikes dhe të mikeshës së saj do të qarkullonin në të gjitha mediat ndërkombëtare si dy tifozet më seksi e më të zjarrta të Shqipërisë në ‘Euro 2016’.
Kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë, por Rikja është po ajo bukuroshe dhe po ajo vajza seksi që mbani mend të gjithë nga stadiumi. Natyrisht, me shumë ndryshime dhe të reja në jetën e saj, profesionale dhe personale. Pas një seti fotosh (pse gjithmonë fotot e saj janë kaq sensuale?) të realizuara së fundi, Rikja u ul me ne për të folur për veten, për gjërat që nuk i ka thënë më parë publikisht; për zemrën që e ka të mbushur plot, por edhe për zërin e të gjitha grave dhe vajzave që nuk guxojnë ta pranojnë veten ashtu siç janë, me gjithë pengesat, problemet dhe kushtet që ua diktojnë rrethanat.
Në një rrëfim të sinqertë, si rrallëherë kur pranon të jetë pjesë e intervistave dhe e vëmendjes, Rikja ka treguar shumë më shumë... Ekskluzivisht për Class.
- U bë kohë e gjatë që ke munguar në publikun shqiptar, pse kjo zgjedhje gjithë këto vite?
Kam zgjedhur të tërhiqem për një kohë relativisht të gjatë, sepse kam dashur të merrem me gjëra të tjera në drejtim të rritjes sime profesionale. Në këto vite, jam marrë më shumë me teatër. Kam pasur disa projekte në aktrim. Është një zhanër shumë i bukur, me gjithë vështirësitë që ka. Më pëlqen shumë dhe ka disa kohë që i jam përkushtuar më shumë.
- Si e gjete vendlindjen pas mungesës së gjatë?
Në fakt, kisha 3 vjet pa ardhur në Shqipëri. Që të jem e sinqertë, këtu njerëzit janë ose shumë të pasur, ose shumë të varfër, shtresa e mesme është zhdukur. Kam parë shumë padrejtësi, ka racizëm e diskriminim social. Më vjen keq ta them, por këto gjëra nuk kanë ndryshuar. Dhe, me sa shoh dhe kuptoj, nuk kanë për të ndryshuar për një kohë të gjatë.
- Pandemia ishte një periudhë shumë e trishtë për Italinë, si kaloi ajo kohë për ty?
Ah, më duket si një film i keq ai vit. Për mua, pandemia ka qenë tepër e vështirë, se zona ku banoj unë ka qenë zonë e kuqe. Mund të dilnim vetëm në raste emergjence. Ka qenë e vështirë, se ndihesha si në burg (si të gjithë, në fakt). Nuk takoja dot as mbesën e vogël, se nuk mund të iknim as në shtëpitë e të afërmve tanë.
- Më shumë se 25 vjet në Itali, tashmë është bërë vendi i lindjes, e mendon ndonjëherë rikthimin në Shqipëri?
E dua shumë Shqipërinë, sidomos Durrësin tim. Më merr malli ndonjëherë, më shumë edhe për disa ushqime që në Itali nuk i gjej. Por u bënë vite tashmë dhe jam mësuar me këtë pjesë.
Italia më ka rritur, për mua është është shtëpia ime. Nuk mendoj se mund të jetoj dot në vend tjetër. Kam ardhur shumë e vogël këtej, prandaj e konsideroj vendim tim. Por ‘mai dire mai’.
- Do ta lije Italinë për një ftesë në Big Brother VIP?
Në fakt, më është bërë propozimi nga Arbana që në edicionin e parë, por nuk pranova, se kisha teatrin dhe nuk mund ta lija dot. Le të them ishte pak joshëse, si fillim. Kur e mendon dhe e di se çfarë ndodh aty brenda, thua ‘pse jo?’. Por unë isha e angazhuar atë kohë dhe nuk mund të lija për një kohë të gjatë projektet që kisha këtu.
- Do ta riprovoje si eksperiencë (BBV)?
Duke qenë se e kam provuar, është eksperiencë që e njoh, por isha pak a shumë 20 vjeç kur e provova. Mbase tani mund ta përjetoja shumë më ndryshe, se jam më e pjekur. Por s’e di nëse do pranoja. Varet nga shumë gjëra tani, është ndryshe…
- Nga kush për shembull, dikush që të ‘pengon’?
Hahaha, jo që më pengon, por dikush me të cilin do ta diskutoja dy herë. Jo si atëherë kur isha 20 vjeç.
- Me fizik gjithmonë dukesh në superformë, ke ndonjë recetë të veçantë që duhet ta dimë?
Faleminderit shumë. Më vjen mirë që dukem ashtu, por e vërteta është që nuk jam fare në formë, madje kam shtuar shumë kilogramë, se jam duke bërë një trajtim hormonal. Për më tepër, nuk jam fare natyrë sportive. E vetmja gjë që bëj është të ha mirë, shëndetshëm dhe marr vitamina.
- Për çfarë po trajtohesh, ndonjë problem shëndetësor?
Po, jam duke bërë trajtime të vazhdueshme nga endometrioza. E kam zbuluar në vitin 2018, pasi shumë specialistë nuk po e kuptonin se çfarë kisha. Më thoshin është normale të kesh dhimbje kur ke ciklin mestrual, është normale të rrish në krevat… Jo, nuk është aspak normale, është sëmundje shumë e dhimbshme. E kanë krahasuar edhe me dhimbjet e lindjes. Të gjitha gratë dhe vajzat e prekura nga endometrioza i kanë këto dhimbje çdo muaj ose ka raste (edhe kur nuk je në ditët e ciklit) edhe çdo ditë.
- Ishe në dijeni më herët për këtë çrregullim hormonal?
Jo, nuk dija asgjë më herët. Në fakt, kam vite që ndihem keq, që kur isha adoleshente, por vetëm në 2018-ën kam gjetur një specialist që e zbuloi. Shumica e gjinekologëve, për fat të keq, s’e njohin mirë endometriozën, pasi është një sëmundje që akoma po e studiojnë dhe ende nuk dihet shumë për të. Ndaj e quajnë sëmundje “invisibile”, e padukshme. Ndonëse nga jashtë dukesh mirë dhe në formë, nga brenda ke dhimbje të tmerrshme.
Pasi u diagnostikova, nisa edhe të informohem më shumë. Endometrioza është sëmundje e dhimbshme kronike, e përhapur, por e padukshme.
- Sa e rëndësishme është të flasësh publikisht për një diagnozë të tillë?
Është shumë e rëndësishme të flitet për këtë diagnozë, pasi shumë vajza e gra vuajnë për të zbuluar këtë diagnozë, madje deri në 7-8 vjet, sepse nuk ka shumë informacion dhe mendojnë se është normale të kesh ato vuajtje…
Është e rëndësishme t’u themi të gjitha vajzave e grave që vuajnë nga e njëjta diagnozë se nuk janë vetëm. Janë me miliona gra këtu në Itali dhe me miliona në të gjithë botën. Të gjitha ato duhet të dinë që ka trajtim për endometriozën. Në Itali, në programin ‘Iene’ është folur për këtë diagnozë. Unë aty e kam marrë kurajën të flas hapur, edhe publikisht për këtë semundje, nga e cila vuajnë shumë vajza e gra.
- Ke dijeni, në vendin tonë ka njohuri të mjaftueshme për endometriozën, meqenëse është një diagnozë kaq delikate?
Do doja shumë që në Shqipëri të flitej për këtë diagnozë, do ishte ndihmë shumë e madhe për të gjitha. Dua t’u them të gjitha grave dhe vajzave në Shqipëri, sidomos atyre që kanë dhimbje të forta gjatë ciklit menstrual ose edhe para tij, nëse kanë dhimbje të forta barku, dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale ose gjatë ekzaminimeve gjinekologjike, duhet patjetër të bëjnë kontrolle për të parë nëse vuajnë nga endometrioza.
Edhe nëse keni dhimbje te këmbët, dhe/ose mbrapa në shpinë, nuk është normale, ndaj duhet të bëni patjetër rezonancën magnetike në zonën e barkun dhe të gjeni një specialist. Dua shumë ta theksoj këtë pjesë, sepse e kam vuajtur vetë për një kohë shumë të gjatë: të kesh dhimbje të forta nuk është NORMALE. Boll na kanë thënë për vite të tëra të kundërtën. NUK ËSHTË NORMALE, QUHET ENDOMETRIOZË DHE NËSE NUK E TRAJTON, MUND TË MBETESH STERILE .
- Ka qenë kjo arsyeja që i je larguar vëmendjes mediatike në Shqipëri? Megjithëse portalet të kanë ngacmuar herë pas here, apo jo?
Jam larguar nga vëmendja, sepse kuptova që po më bëhej shqetësuese, madje po më ndikonte edhe në shëndet. Fillova të përjetoja ankth nga vëmendja, kështu që vendosa të merrem me veten dhe me jetën time private. Nëse më parë publikoja shumë edhe në rrjetet sociale, tani shumicën e rasteve e mbaj për vete.
- Megjithatë mediat kanë pasur lajme rozë nga Rikja, ke ndonjë koment për to?
Në shumicën e rasteve, çfarë është shkruar për mua kanë qenë të paverteta. Nuk kam ndonjë koment, se punën e tyre bëjnë keq, por ama e bëjnë. Unë do shqetësohesha vetëm po të lexoja që kanë shkruar diçka të vërtetë për jetën time private, atëherë do të mërzitesha shumë, sepse dua që ajo të mbetet private.
- Është dikush në jetën tënde në këtë kohë?
Po, dhe objektivi ynë është të krijojmë familje sa më shpejt.
- Nuk themi asgjë më shumë për djaloshin që të ka rrëmbyer zemrën?
A nuk folëm për privatësi pak më sipër? Dua që të mbetet private, të paktën tani për tani. Mendoj se do vijë koha që ta ndajmë me të gjithë. Uroj së shpejti!
- Veç modelingut, ke provuar edhe kinemanë, aktrimin? Të është ofruar ndonjë rol?
Unë kam punuar gjithmonë si fotomodele, sepse jam e gjatë vetëm 1.70. Më është ofruar rol në kinema, por do kishte skena nudo dhe nuk e bëja dot. E refuzova menjëherë.
- Për të pasur sukses në një fushë të caktuar, duhet të bësh kompromise?
Varet në çfarë fushe, por mendoj se për të pasur sukses duhet t’ia arrish me forcat e tua, ndonëse në shumicën e rasteve nuk ndodh kështu. Mendoj se jemi në një shoqëri që nuk ka meritokraci dhe kush ka etje suksesi, ka bërë patjetër kompromise… Unë këtë bindje kam.
- Cila është gjëja për të cilën ti nuk do të bëje kurrë kompromis?
Nuk kam bërë kurrë kompromise në jetë. Gjithmonë kam marrë atë që kam arritur me forcat e mia dhe besoj se do vazhdoj kështu gjithë jetën.
Nuk e kishte të vështirë të fliste për endometriozën, përkundrazi pranoi me shumë kënaqësi për një qëllim të mirë: të bëhej një zë për të folur, në mënyrë që shumë gra e vajza të tjera të mos heshtin përpara problematikave që ndeshin me trupin e tyre. Por kishte një merak tjetër më shumë: nëse do të heshtte, mbase shumë vajza e gra të tjera do të vijojnë të mendojnë në heshtje, siç kishte menduar ajo deri tani. Ose, siç e kishin bërë të besonte: ËSHTË NORMALE....
Në fakt, Rikja jo vetëm e tha, po edhe e beson fort atë që po e thotë sot për herë të parë publikisht. Me zë të lartë:
Nuk është normale të kesh dhimbje të forta barku gjatë ciklit menstrual, gjatë marrëdhënieve seksuale ose gjatë ekzaminimeve gjinekologjike. Duhet të bëni patjetër rezonancën magnetike në zonën e barkut.
Nuk është normale të vuash, nuk është normale të rrish shtrirë në krevat, nuk është normale të heshtësh...
Është normale ta pranosh dhe ta duash trupin ashtu siç e ke, është normale të bësh kontrolle periodike sa herë vëren se diçka nuk shkon me trupin tënd.
Është normale të kuptosh se edhe njerëzit që ke rreth e rrotull vetes kujdesen që ti të jesh mirë, shëndetplotë dhe me energji.
Mbi të gjitha, ËSHTË NORMALE që secila nga ne ta ketë jetën të mbushur plot me dashuri.
Rikja e ka... Sigurohu ta kesh edhe ti!
Credits:
Make up & Hair Stylist: Enea Shukle & Sofia Pisoni
Foto: Arbnor Allaraj, Davide Bernardelli
Location: Hotel Delight & Spa