Një rrëfim ekskluziv për punët e bukura që po vijnë shumë shpejt, për gjendjen më të mirë profesionale dhe personale, si edhe për disa të fshehta të parrëfyera më parë
Rikthimi në shtëpinë e madhe, pas një shkëputjeje 4-vjeçare, ka qenë thuajse i pandjeshëm për Enedën. Koha ka fluturuar, sepse artistja iu përkushtua më shumë muzikës, prodhimeve të reja muzikore, koncerteve live, “The Voice”, “Top Talent” e një sërë aktiviteteve të tjera artistike, të cilat jo vetëm i mbushën kohën, por edhe i plotësuan dimensione të tjera profilit të saj artistik. Çmimi i parë në “Këngën Magjike”, një sukses që Eneda e shijoi për gjithë vitin 2020, e bëri atë të vetmen këngëtare që ka fituar çmimet e para të të gjitha festivaleve muzikore në vend. Megjithatë, kur erdhi sërish oferta për në “Portokalli”, Eneda s’mund ta refuzonte, edhe pse ende kishte nëpër duar disa projekte që kërkonin impenjim maksimal. E njihte mirë atë vend dhe e ndiente se kishte ende shumë për t’i dhuruar publikut nga ajo skenë, e cila gjallon karaktere dhe rezervon gjithmonë surpriza.
Thonë se nuk të shkon mbarë nëse rikthehesh në të njëjtin vend pune pasi je shkëputur një herë, por kush e vlerësoi këtë teori si absolute? Steve Jobs e bëri, kështu që secili prej nesh mund ta bëjë dhe të gjejë një pjesë të shtëpisë që ka lënë, gjysmën e zemrës, të miqve, bashkëpunëtorëve dhe të mos ndihet kurrë i huaj, as i përjashtuar, as i lënë mënjanë, përkundrazi, i mirëseardhur në një vend ku, më shumë se gjithçka, të mban gjallë hareja dhe gëzimi i familjes së madhe – si “Portokallia”.
Ishte menduar të vinte si një kopertinë vjeshte, kur lajmi se Eneda Tarifa do të rikthehej në skenën e madhe sapo ishte bërë publik, por nuk ishte e thënë. Jo vetëm për shkak të aktivitetit të ngjeshur artistik të saj, por edhe për shkak të Covid-it, që nuk kurseu as familjen e Enedës e më pas me radhë, shumicën prej nesh. Megjithatë, edhe “vonesa” ishte ogur që kjo kopertinë të vinte në fillim të një sezoni të ri të spektaklit të humorit, bashkë me projekte të reja të këngëtares. Sigurisht, jo pa qëllim, edhe në një ditë të veçantë; për dashurinë dhe për gjitha zemrat e mbushura plot me të. Eneda ka edhe një arsye më shumë…
Për këto por edhe për gjendjen profesionale dhe personale në të cilën e gjeti rikthimi në ekran me spektaklin e humorit, si edhe për shumë punë të bukura që ka nëpër duar, Eneda Tarifa flet ekskluzivisht në këtë intervistë për Class: “Sa mirë që na erdhën punët kështu…” – thotë ajo me të qeshur (si për të justifikuar “vonesën” e kësaj kopertine), sepse tani ka më shumë për të folur. Jo për të thënë ato klishetë me të cilat jemi mësuar shpesh mes personazheve të njohur, “jam në kulmin e karrierës” apo “jam në kohën time më të mirë”, por për ta thënë me fjalë të thjeshta atë që po bën aktualisht. Ajo preferon më shumë të jetë realiste në tregun e zhurmshëm të showbiz-it shqiptar, ndaj edhe zgjedh të mos lërë hapësira për keqinterpretime. Në fund të fundit, pse duhet të jemi hipokritë e të themi “të gjithë na duan”? Më shumë se kushdo, Eneda e di mirë që të jesh personazh i njohur, nuk do të thotë domosdoshmërisht të të duan të gjithë, por nëse je para publikut ajo që je në të vërtetë në jetë, pikët i ke të fituara. Këtu, në fakt, duhet të nisë sfida e vërtetë për ata që dalin në ekran…
Ke mbyllur sezonin e parë në “Portokalli” pas një shkëputjeje 4-vjeçare nga ajo skenë, ishte si një rikthim në shtëpi?
Po, ishte si një rikthim në shtëpi. E kam menduar që në momentin e parë që kam vënë këmbë përsëri në atë skenë dhe më vjen mirë që gjeta gjithçka siç e kisha lënë. Jam e lumtur që jam rikthyer.
Kur t’u ofrua mundësia për t’u rikthyer, e mendove dy herë apo ishe e sigurt që kjo ishte ajo që doje?
Në fakt, e mendova dy herë, sepse kjo do linte mbrapa disa impenjime që i kisha nisur, kështu që mora pak kohë, por dëshira dhe nostalgjia për atë vend më bëri që të rikthehesha. Sigurisht, edhe mendimi që kemi bërë gjëra të bukura në atë skenë më bën që të vazhdoj t’i qëndroj besnike asaj skene.
Cili është ndryshimi i Enedës së para 4 viteve me Enedën e këtij sezoni?
Ndryshimi i Enedës së atëhershme me Enedën e tanishme them se është mjaft i madh, sepse tani jam më e përqëndruar, jam shumë herë më e bindur, më e sigurt, më e qetë dhe profesionalisht vij më e pjekur. Me kalimin e viteve, të gjitha eksperiencat profesionale plotësojnë profilin artistik dhe shtojnë pikë në përmirësimin e cilësive profesionale të një artisti. Kështu, besoj, ka ndodhur edhe me mua.
Për çfarë të vlejti më shumë largimi për 4 vite?
Më shërbeu për shumë gjëra. E para, për t’iu rikthyer muzikës, për të prodhuar këngë. Gjatë kësaj periudhe 4-vjeçare kam prodhuar 4 këngë, njëra prej të cilave është fituesja e “Këngës Magjike”, një çmim tepër i rëndësishëm për mua, që mbyll serinë e të gjithë festivaleve të fituara. Po ashtu, ishte një periudhë që më shërbeu për t’i qëndruar edhe më afër vajzës, si edhe për të bërë eksperienca të tjera siç ishte “The Voice”, “Top Talent”, disa projekte paralele në Top Channel shumë të bukura e të pëlqyera nga publiku. M’u desh shumë kjo periudhë, por dua që të vazhdoj me këtë ritëm, në mënyrë që të vazhdoj të prodhoj sërish muzikë.
Çfarë të kishte munguar më shumë nga “Portokallia”?
Nga “Portokallia” më kishte munguar më shumë intensiteti i punës, shpejtësia me të cilën duhet të veprosh, presioni nën të cilin gjendesh çdo javë dhe të mban aktiv – është i pakrahasueshëm me çdo lloj ritmi tjetër në ndonjë program televiziv.
Si ishte ta ndiqje “Portokallinë” nga ekrani?
Nuk e kam parë shumë, sidomos vitin e parë pasi u shkëputa, për shkak se të dielave gjithmonë kam qenë në ndonjë aktivitet muzikor. Edhe në rastet kur e shihja, kuptohet, vija re më shumë gjëra që publiku nuk arrin dot t’i dallojë. Nëse je pjesë e asaj trupe, gati-gati lexon çdo lëvizje të çdo aktori dhe kupton përtej aktrimit.
Cilat ishin reagimet e njerëzve kur mësuan se do të riktheheshe, pati nga ata që rrudhën buzët?
Reagimet e njerëzve ishin të jashtëzakonshme, nuk prisja të kisha kaq shumë mesazhe e telefonata ende pa u konfirmuar lajmi se do isha përsëri pjesë e “Portokallisë”. Mbi të gjitha, u gëzua mami im dhe familja ime që e kanë ditur gjithmonë dëshirën time të madhe për “Portokallinë” dhe dashurinë që kam për të.
Sigurisht, pati edhe reagime të tipit “Po ti e bëre një herë, nuk është monotoni?” Mendoj që duhet të ketë pasur edhe njerëz që kanë rrudhur buzët, por kjo për mua nuk përbën asnjë problem. Varet se ku e sheh veten dhe ku do të shkosh. Njerëzit gjithmonë do reagojnë në një mënyrë apo në një tjetër, por kanë gjithë kohën e duhur për t'u rimësuar edhe me këtë.
Gjatë këtij 4-vjeçari ke provuar edhe eksperienca të tjera televizive, cilën do të veçoje më shumë?
Janë gjëra të ndryshme, në fakt, nuk mund t’i krahasoj. Megjithatë, do ta veçoja “The Voice”, sepse është formati që më ka pëlqyer gjithmonë. Ka pasur një tjetër dinamikë nga “Portokallia”, por jam munduar të bëja më të mirën time, atë që kam bërë gjithë jetën. Puna në “Voice” më ka pëlqyer për shkak të komoditetit që më ka dhënë edhe Ledioni, por edhe formati. Vetëm se e bëra për pak kohë, do të doja që të ishte më e gjatë si eksperiencë. E kujtoj si një periudhë shumë të bukur. Kam kaluar shumë mirë edhe me kolegët dhe, pa dyshim, edhe sepse jam marrë me fëmijët.
Cili është komenti i Arias tani që të shikon sërish në “Portokalli” dhe kupton më shumë, si më e rritur?
Aria u gëzua shumë për mua, sepse unë e doja shumë këtë rikthim. Sa herë jemi duke bërë humor të dyja, ajo më thotë shpesh: “O mami, po ti je tamam për te “Portokallia". Edhe pse është ende e vogël, është mjaftueshëm e madhe për të kuptuar shumë gjëra – edhe nga ato që mua as m’i merr mendja.
Aria të do më shumë si këngëtare, prezantuese apo aktore (interpretuese në “Portokalli”)?
Aria më do si mamin e saj, nuk do t’ia dijë sa lodhem unë në punën time. Ajo do kohën e saj. Unë as nuk ia imponoj të më shikojë në “Portokalli”, në festival apo kudo tjetër ku jam në ekran. Sepse mendoj se ajo tani ka nevojë për mua, si nënë. Kur të rritet, le të gjykojë vetë si do më dojë më shumë (artistikisht), por jam e bindur se edhe kur të kuptojë më shumë, sërish do më dojë si mamin e saj. Të tjerat, t’ia lëmë kohës.
Je pranë sezonit të dytë të "Portokallisë" për këtë vit, si e parashikon të ardhmen e këtij spektakli, çfarë do të shikojë publiku tjetër nga ty?
Normalisht, kemi filluar punën dhe jemi duke menduar të gjitha mundësitë që kemi për të krijuar karaktere të reja. Besoj do të kem mundësi të rishfaq ndonjë personazh të ri, frymëzuar nga jeta e përditshme dhe nga karaktere që shohim përditë në jetën tonë. Një karakter që ka pasur shumë sukses ka qenë Eni Vasili, por fatkeqësisht u bë vetëm një herë nga unë. Ajo që na bën ne më të mirë dhe kërkues ndaj vetes është fakti që jemi gjithmonë në provë. Artisti është gjithmonë në provë me vetveten, sepse është në një provim deri në momentin që e nxjerr në publik veprën e vet. Por parashikoj që me disiplinën që ka çdo aktor atje brenda, do të jetë një sezon gjithashtu i suksesshëm.
Po zërave që thonë se “Portokallia” e ka përmbushur misionin e saj?
Kam 10 vjet që e dëgjoj këtë histori. Jo e ka përmbushur ciklin e vet, jo s’ka ça të bëjë më shumë, jo po të njëjtat gjëra. Në fakt, mos harroni se janë vetë njerëzit, është vetë publiku që zgjedh ta çojë telekomandën të dielën në darkë në Top Channel për të parë “Portokallinë”.
Më 31 dhjetor u publikua "Dashuri siberiane", kënga e fundit shoqëruar edhe me një videoklip. Pse vendose të vish ndryshe në muzikë, ke dëshirë të eksperimentosh?
“Dashuri siberiane” nisi si një projekt i iniciuar nga Petrit Çomo, i cili ishte mbështetësi kryesor i këtij projekti. Është vëllai i tekstshkrueses Drita Çomo, historinë e së cilës jo të gjithë mund ta dinë. Unë nuk dua të ndalem këtu, për shkak të trishtimit të madh që përmban, megjithatë, jam e bindur që, nëse do të ishte gjallë sot, Drita do të ishte një nga poetet më të mira të kohës sonë, për talentin dhe mesazhet që përcillte përmes shkrimeve të saj. Jeta e tyre e vuajtur ka bërë që kjo vajzë e re, në moshën 23-vjeçare të shkruajë kaq bukur. Poezia dhe libri i saj më joshën menjëherë. Kur bashkohen disa njerëz të mirë bashkë, bëjnë gjëra të mira. Kompozitori Edmond Rrapi i është përshtatur shumë bukur tekstit të këngës. Fillimisht, e mora si material për ta regjistruar, por pastaj thashë që këto këngë i dua për vete që t’i kem në repertorin tim. Them këto këngë, sepse nuk është materiali i vetëm që kam punuar me këtë grup artistësh dhe me Shpëtim Saraçin, që ka qenë orkestruesi kryesor. Më datë 14 shkurt (sot) do të publikoj edhe këngën e dytë. Janë dy këngë të natyrave të ndryshme, që vijnë në një kohë të shkurtër. Edhe unë e shoh veten shumë ndryshe, sepse më jep dimensione të tjera në karakterin tim artistik.
Si po e menaxhon kohën tani që rikthehesh me një impenjim më të madh? A mbetet kohë për jetë private?
Po të duash, e gjen gjithmonë kohën për jetën private...
Periudha e gjatë e pandemisë ndryshoi gjë tek ty, çfarë ndikoi më shumë?
Periudha e gjatë e pandemisë ndryshoi gjithçka tek të gjithë njerëzit në botë, por veçanërisht tek artistët mund ta mendosh edhe pozitivisht, sepse një artist do kohën e vet, periudhën e vet të krijimit dhe të reflektimit, kështu që një artist është i privilegjuar, sepse ka çfarë të bëjë. Në të njëjtën kohë është i penalizuar, sepse i vetmi burim i të ardhurave është kontakti i tij me publikun, koncertet, aktivitete të ndryshme social-kulturore. Kjo, natyrisht, ka munguar, por ndoshta unë jam tipi që gjej gjithmonë anën pozitive të gjërave, sepse kjo më bën të ndihem më mirë, më jep energji, më bën që të eci përpara në çdo lloj situate. Duhet të jemi të përgatitur.
Viti 2020 me tri cilësi për ty …
Sfidues, i mbarë, i suksesshëm. Edhe nëse për të gjithë ne, viti 2020 ka qenë një vit jo shumë i bekuar, se nuk dua të them i mallkuar, për mua ka qenë një vit suksesesh. Më riktheu te “Portokallia”, më bëri të lumtur për faktin se tani jam me Arian në një shtëpi të re, pata kohë të merrem me gjëra të lëna pezull dhe e treta, që pata mundësi të prodhoj disa këngë të reja.
Çfarë të mbeti pa realizuar që do ta bësh patjetër në vitin 2021?
Unë tashmë kam një staf timin, pranë meje kam njerëzit që dua, e kam fjalën për njerëzit që merren me mua, është një grup pune, në kuadër menaxherial, të cilin po përpiqem ta organizoj. Ma bën edhe mua punën më të lehtë dhe nuk merrem vetë me të gjitha, është praktikisht e pamundur. Kam në plan të mbaroj edhe dy këngë të tjera veç asaj që do publikoj më 14 shkurt, siç ju thashë. Kam në plan, po ashtu, që nga viti i kaluar për një koncert recital. Kështu, po organizohem pak më shumë për të ngritur më lart nivelin artistik dhe për fat të mirë, kam edhe një grup bashkëpunëtorësh që po më ndihmojnë për këtë.
Është e vështirë të jesh shoqe me bashkëpunëtorët?
Unë mund të jem shoqe me këdo. Vetëm duhet të kemi parasysh diçka këtu. Si fillim, të gjithë ne, nuk kemi për qëllim të bëhemi shokë me ata që na qëllon të bashkëpunojmë. Jemi aty, sepse kemi të tjera interesa (pune). Nëse gjatë rrugës, na ndodh që të miqësohemi më shumë me disa, zgjedhim të jemi shokë jashtë punës. Natyrisht, kjo nuk është e thënë të ndodhë gjithmonë… Unë kam shumë shokë dhe miq, një pjesë të mirë të të cilëve i kam fituar nga eksperiencat e mia në punë. Jam me fat që i kam…
Po në planin personal, cilat janë objektivat?
Dua të arrij qetësinë e munguar. Shpresoj shumë që fati dhe rruga të më takojë me dikë që të ma sjellë këtë qetësi.
Credits:
Fotografitë: Orsola Mema, Class Photography
Hair & Makeup: Ujvara Hajdari
Veshjet: Ezie Style