Lori Hoxha festoi ditëlindjen këtë javë, në një festë të kuruar nga Class Events, që çdokush do ta kishte zili (për më shumë detaje për festën klikoni këtu). Në festë ishin 27 vajza të ftuara dhe nuk e dimë se çfarë dhurate zgjodhi secila për 27-vjetorin e Lorit, por dimë se çfarë i dhuroi Sara.

Lori e ka zbuluar dhuratën e së motrës pak orë më parë në një postim në Instastories, ku ndau edhe pak nga ndjenjat e saj. Bëhet fjalë për një ditar, i cili do ta ndihmojë shumë Lorin t’ia dalë mbanë me ato që ajo i quan “beteja të vogla të heshtura”.

“Sara ma dha këtë për ditëlindje. Kam qenë duke luftuar me beteja të vogla e të heshtura për një kohë të gjatë dhe me sa duket të shkruarit në një ditar ndihmon. Po e postoj nëse i duhet ndokujt”, -ka shkruar Lori teksa ka vazhduar: “Jam në ditën e katërt. Po mundohem ta kthej në zakon.”

Lori ka folur hapur për luftën e saj me ankthin dhe ideja e një ditari është një ndihmë e madhe në raste të tilla. Sipas Psychology Today, një nga gjërat më të dobishme që mund të bëni për të luftuar stresin dhe ankthin është të mbani një ditar për të shkruar mendimet dhe ndjenjat tuaja. Përdorni çdo lloj fletoreje që ju pëlqen dhe ndajeni në disa tituj, si: 1) Situata; 2) Mendime / Çfarë po i them vetes? 3) Sa i/e shqetësuar ndihem?

Lini hapësirë për të shënuar disa fjalë në lidhje me situatën dhe mbase datën, në mënyrë që të mund të monitoroni lehtësisht progresin tuaj. Më e rëndësishmja, shkruani çdo mendim që keni kur jeni para ose gjatë një situate që ju shkakton ankth. Me fjalë të tjera, çfarë po i thoni vetes? Si ndiheni për këtë? Mund të përdorni edhe numra për të treguar se si ndiheni (duke përdorur një shkallë 1-10) ose të shkruani disa fjalë si përshkrim.