Gashi është ndër emrat shqiptarë që ka mundur të depërtojë në tregun muzikor ndërkombëtar me sukses. Mirëpo, ai është treguar gjithmonë i gatshëm të mbështesë artistët e rinj shqiptarë dhe t’i promovojë ata. Kështu ka bërë edhe me yllin në rritje, këngëtaren me origjinë nga Saranda, Ava Max. Ai ka bashkëpunuar gjithashtu me Ledri Vulën, për këngën “That’s mine”, që rezultoi shumë e suksesshme. Në një lidhje me skype për emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora, në rubrikën "Special Edition By Arjola", Gashi tregoi se besoi tek Ava Max dhe bashkëpunoi me të kur askush nuk e njihte.
“Unë isha i pari artist që ndihmova Ava Max. Askush nuk e njihte, askush! Unë jam artisti i parë me të cilin Ava Max punoi. Ne bëmë tre këngë së bashku në shtëpinë e saj. Unë jam mik me vëllain e saj. Ajo ishte një vajzë e vogël që po përpiqej të bëhej një popstar dhe askush nuk besonte tek ajo. U thosha njerëzve që ajo do të jetë një popstar. Përpiqesha t’u thosha që ajo do të bëhet e madhe në muzikë. Shikojeni pak tani… Ju thashë! Çfarë më pëlqen është kur ndihmoj njerëz dhe ata bëhen dikush. Më pëlqen shumë! Sidomos kur janë shqiptarë“, -është shprehur Gashi.
Por këngëtarja shqiptare me të cilën ai do të donte të bashkëpunonte është Dua Lipa.
“E dua shumë Ava Max është vërtet një njeri i mrekullueshëm. Por njeriu me të cilin dua vërtet shumë të bëj një bashkëpunim për albumin tim të ri, sepse përshtatet me stilin e saj, është Dua Lipa. Albumi im është Dance Music, kështu që nëse do të zgjidhja një artiste, do të zgjidha Duan.”
Gashi është shprehur se dëshiron shumë t’i ndihmojë artistët të promovohen edhe prej Shqipërisë dhe të ndryshojë jetën e tyre. Prandaj, ai dëshiron të bashkëpunojë përsëri me artistë shqiptarë.