Shumë njerëz presin për një vizë pune për të ardhur në Gjermani. Po si është situata aktualisht me dhënien e vizave në ambasada? A po e ndryshon kriza e Coronës nevojën e Gjermanisë për fuqi punëtore nga jashtë?

Vetëm pak muaj më parë, më 1 mars 2020, hyri në fuqi ligji për fuqinë e kualifikuar punëtore në Gjermani. Ai do duhej tâ??ua lehtësonte qytetarëve nga vendet e treta jashtë BE, ardhjen me punë në Gjermani. Shumë qytetarë nga Shqipëria e Kosova lidhën shpresat me këtë ligj. Gjithsekush që kishte një zanat të kualifikuar apo kishte një kontratë dhe njihte gjuhën gjermane në nivelin që kërkohej mund ta provonte fatin e të kërkonte punë në Gjermani.

Konsullatat gjermane punojnë me kapacitete të reduktuara

Por ardhja e pandemisë ndryshoi gjithçka. Kufizimet e udhëtimit që vendosën Gjermania e vende të tjera për mbrojtjen nga virusi ishin paralizuese. Në shumë raste ardhja e punëtorëve të kualifikuar nga Ballkani u ndërpre me disa përjashtime ose u ngadalësua së tepërmi. Rastet përjashtimore përfshinin personelin shëndetësor, studiuesit e shëndetësisë, personelin e kujdesit shëndetësor apo personel tjetër me rëndësi të veçantë. Vonesat erdhën edhe nga zyrat e administratës për të huajt në Gjermani që për shkak të Coronës e kanë ende të kufizuar komunikimin me publikun. Kështu pirgu i aplikimeve në pritje me ardhjen e pandemisë është rritur edhe më shumë, bashkë me kohën e pritjes për marrjen e orarit për dokumentet për vizën në konsullatat gjermane në Ballkan, pritje, që edhe më parë ishte legjendare.

Kësaj i shtohet edhe puna e reduktuar e konsullatave në rajon. Ministria e Jashtme e Gjermanisë e pranon në një prononcim për Deutsche Welle, se përfaqësitë gjermane në Ballkan aktualisht punojnë me kapacitete të reduktuara. Ajo thotë, se gjendja aktuale në vend e përcakton, nëse dhe kur do të jetë i mundur shtrimi i kërkesës për vizë. Por me sa duket gjendja në vend mund të çojë edhe në mbylljen e plotë të autoriteteve konsullore. Kjo ndodhi tani në Shqipëri, ku të hënën u mbyll zyra konsullore për vizat e ambasadës gjermane për shkaqe të situatës aktuale. Personave të prekur u premtohet në faqen online një orar i ri sa më shpejt të jetë e mundur, por se kur, kjo nuk specifikohet. Edhe zyra konsullore në Prishtinë i ka reduktuar shumë kapacitetet dhe pranon vetëm ato kërkesa për vizë që nuk preken nga kufizimet e udhëtimit në Gjermani.

â??Parimisht mund të jepen sërish vizaâ?

â??Dhënia e vizës orientohet për momentin nga kufizimet e udhëtimit në fuqiâ?, thekson Ministria e Jashtme gjermane, por një vendim i fundit i qeverisë gjermane po e rihap rrugën edhe për rastet e tjera me kontratë apo ofertë pune. Ministria e Jashtme gjermane konfirmon për Deutsche Wellen, se â??në bazë të vendimit të kabinetit gjerman më 1 korrik mundet që fuqia punëtore e kualifikuar me një ofertë konkrete pune në bazë të ligjit për fuqinë e kualifikuar punëtore (FEG) të udhëtojë sërish në Gjermani. Kjo vlen edhe për ata që vijnë nga të gjitha shtetet e treta. Në këtë kontekst për raste të tilla parimisht mund të jepen sërish viza.â? Parimisht tingëllon bukur, por praktikisht shumë aplikues me këto zhvillime si në Shqipëri së fundmi as nuk e dinë, se kur do të kenë një datë tjetër aplikimi për vizë dhe u duhet vetëm të kalitin durimin.

Corona uli numrin e punëtorëve të huaj

Kufizimet e vendosura për udhëtimin e reduktuan ndjeshëm ardhjen e fuqisë së huaj punëtore në Gjermani këto muaj. Sipas ekspertit gjerman, Michael van der Cammen nga Zyra Federale e Punës, përgjegjës në sektorin ndërkombëtare ato çuan në një â??prerje të fortëâ?. Megjithatë, ardhja e fuqisë punëtore nga jashtë nuk është ndalur plotësisht, thotë van Cammen. I vetmi sektor që përfitoi edhe në kohën e krizës ishte ai i shëndetësisë, për shkak se infermierët në kohën e krizës ishin shumë të kërkuar në Gjermani. â??Për ne është gjë e bukur, kur kemi suksese të vogla, për shembull kur ia dalim të sjellim në Gjermani bashkë me Ministrinë e Jashtme infermierët që i kishin gati valixhet në vendin e tyre. Këta njerëz mund të fillonin nga puna menjëherë në sektorin e infermierisë. Ne i ndjekim me vëmendje kufizimet e udhëtimit, por jemi të sigurtë që më vonë do të punësohen më shumë.â?

Nevoja për fuqi punëtore do të mbetet e lartë

Fjalë shpresëdhënëse, pasi aktualisht firmat gjermane në tërësi janë të rezervuara me punësimin e punëtorëve të huaj për shkak të pasigurisë në të ardhmen, por edhe të rënies ekonomike që solli me vete pandemia e Coronës. â??Marrja e punëtorëve të huaj duhet të presëâ?, shkroi në qershor gazeta gjermane â??Mannheimer Morgen. Jo pak firma kanë bërë të ditur ndërkohë edhe shkurtime të numrit të punëtorëve. Sipas të dhënave të publikuara pandemia e ka goditur tregun gjerman të punës. Papunësia aktualisht në Gjermani ka arritur shifrën 6,3%, në një kohë që vetëm pak muaj më parë flitej për miliona vende pune që duheshin zënë e kërkohej fuqi punëtore nga jashtë.

Por a do ta ndryshojë Corona tregun e punës në Gjermani në të ardhmen aq sa të mos jenë më të nevojshëm punëtorët e huaj?

Sipas ekspertëve megjithë ndryshimet e pritshme, Gjermania do të vazhdojë të ketë nevojë për fuqi punëtore nga jashtë. Michael van der Cammen nga Zyra Federale e Punës shprehet optimist për Deutsche Wellen. â??Natyrisht që pandemia na frenon. Por nevoja për fuqi punëtore është si më parë ende e madhe; sektori i shëndetësisë është një shembull i mirë. Covid19 nuk e ndryshon zhvillimin demografik. Sipas vlerësimit tim mund të ketë theksime të tjera. Nevoja për fuqi punëtore në sektorin e shëndetësisë, ndërtimit dhe zanateve në shumë drejtime do të mbetet e lartë. Këtë na e thonë që tani përfaqësues të këtyre degëve dhe sindikatave.â? Nevoja e punëdhënësve gjermanë sigurisht do të varet edhe nga ecuria ekonomike në Gjermani. Shpresat për një rimëkëmbje të ekonomisë parashikohen nga tremujori i fundit i këtij viti.

Zgjatja e rregullores për Ballkanin Perëndimor

Në këto kohë pandemie si lajm i mirë vjen edhe plani për zgjatjen e Rregullores së Ballkanit Perëndimor, që në vitin 2016 u vendos për të lehtësuar punësimin e migrantëve ekonomikë nga vendet e Ballkanit, për të ulur numrin e azilkërkuesve. Sipas të dhënave të agjencisë gjermane të lameve, dpa, të mërkurën (22.07). Ministria gjermane e Punës e ka ofruar për miratim tek qeveria gjermane zgjatjen e kësaj rregulloreje deri në vitin 2023. Kjo rregullore që kishte afat deri në fund të këtij viti vepronte paralelisht me ligjin gjerman për fuqinë e kualifikuar punëtore. Dallimi është se me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor vinin punëtorë edhe pa ndonjë kualifikim të veçantë e njohuri gjuhe të mëdha. Kusht është që aplikuesi të ketë një kontratë pune në Gjermani dhe miratimin e Zyrës Federale të Punës.

Burimi: Deutsche Welle