Alba Sgarbi është vajza shqiptare e personazhit kontrovers të televizionit italian, Vittorio Sgarbi-t. Vittorio është një personazh shumë i njohur në shtetin fqinj, pasi është historian, politikan, analist dhe personalitet televiziv.

Vite më parë në mediat italiane është folur shumë për historinë e Vittorio Sgarbi-t dhe faktin që ai ka një vajzë me një grua shqiptare, pikërisht Albën. Fakti që kjo histori u përfol gjatë në media ishte për shkak se Sgarbi nuk e kishte njohur të bijën dhe as kishte folur kurrë për të publikisht. Mamaja e Albës, Kozeta Aidini, këngëtare lirike e cila jeton në Itali, nuk është shfaqur kurrë në media, pavarësisht nga këmbëngulja e gazetarëve.

Ndërsa Alba u prezantua për herë të parë si e bija e Vittorio Sgarbi-t në verën e vitit 2017, kur ajo u shfaq krah të atit në një set fotografik për revistën “Chi”. Në atë kohë thashethemet morën fund dhe u konfirmua se Alba, vajza me nënë shqiptare, është e bija e kritikut të mirënjohur të artit në Itali.

Alba Sgarbi ka qenë e ftuar dje në emisionin “Rudina” në Tv Klan, për herë të parë dhe ekskluzivisht në një intervistë për një televizion shqiptar. Alba rrëfeu se deri në moshën 5-vjeçare ka jetuar në Itali, më pas erdhi në Shqipëri ku mësoi dhe gjuhën shqipe, gjuhën e nënës dhe kreu këtu shkollën e mesme. Megjithëse u largua nga Italia, ajo komunikonte shpesh me të atin.

“Unë kam lindur në Romë dhe deri në moshën 5-vjeçare kam qëndruar në Itali. Më tej u ktheva në Shqipëri për të mësuar shqipen, sepse gjuha e parë që dija ishte italisht. Kam vazhduar studimet, shkollën e mesme dhe të gjitha këtu në Tiranë. Gjatë kohës kam qenë në kontakt me babin, vetëm kur shkoja për pushimet e Krishtlindjes, Vitit të Ri, kur shkoja për pushimet verore, qëndroja me të më shumë. Mund ta takoja rreth 2-3 herë në vit babin. Kam qëndruar me mamin, babin e takoja pak më rrallë, por gjithmonë kam qenë në kontakt me të dhe raportet kanë qenë tepër të mira. Faktikisht ai ka dhe dy fëmijë të tjerë, që janë me dy mama të tjera dhe ai nuk ka jetuar me asnjë prej nesh. S’ka dashur të krijojë asnjëherë familje. Mami ka qenë gjithë kohës në Itali, ku dhe ka punuar. Aty ka ndërtuar edhe jetën e saj. Mami ka qenë e martuar më përpara, por pati një aksident i shoqi dhe ndërroi jetë. Më pas u njoh me babain tim dhe linda unë. Spekulimet pastaj janë të tjera, që mund të isha fëmija i personit tjetër, por jo nuk është e vërtetë. Ai ka ndërruar jetë shumë kohë më përpara”.

Pas lindjes, e ëma e Albës i vendosi mbiemrin e saj. I ati nuk e njohu që në fillim, por pasi ajo u rrit pak vendosi t'i jepte mbiemrin e tij.

“Vittorio më ka njohur më vonë, për faktin që edhe mamaja e tij ka qenë me mentalitetin e tillë që dua të krijosh familje, i thoshte nuk dua të njohësh fëmijë jashtë martese e gjëra të tilla. Prandaj ka qenë edhe shumë e vështirë kauza ime. Plus edhe mamaja më vendosi mbiemrin e saj në fillim... Kjo ka qenë zgjedhja e mamit, nuk donte që të dihej që isha e bija e këtij personazhi publik, donte ta mbante anonim. Vittorio donte, por mamaja e tij nuk donte. Kjo ka qenë situata. Vendosa që të mbaja mbiemrin e babit si përfundim dhe tani jam me mbiemrin Sgarbi. Është edhe pak e sikletshme të mbash atë peshë mbiemri”.

Por si është në fakt të jesh vajza e një personazhi publik të mirënjohur në Itali?

“Më pyesin si është e mundur që ka një vajzë gjysmë shqiptare gjysmë italiane, domethënë kuriozohen për këtë gjë”, -është shprehur ajo.

Alba aktualisht është me studime në Milano, por thotë se në të ardhmen do të dëshironte që të ecte në gjurmët e të atit.

“Do doja të kisha një galeri timen, një galeri private, mbase këtu në Tiranë, por nuk e di…”.

Bukuroshja italo-shqiptare dhe babai i saj, Vittorio Sgarbi do të vijnë së shpejti në Tiranë me një projekt për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit.

Cila është vajza shqiptare e Vittorio Sgarbit që u shfaq në krah të Ramës?

Burimi: Tvklan.al