Ndodh në jetë që të dashurosh personin e gabuar (për shoqërinë dhe familjen). Jo të gjithë mund të bien dakord për veprimet ose zgjedhjet që bëni në jetë. Mbase ju jeni me fat që keni marrë personin që keni dashur pa probleme, mirëpo blogerja e njohur Estela Ujka nuk e ka pasur këtë fat. Në shfaqjen e organizuar nga ORAT, një rrjet për fuqizimin e vajzave dhe grave në Shqipëri, Estela Ujka ka rrëfyer për herë të parë dhunën që kanë ushtruar familja e saj, kohë më parë, kur ajo ju tregoi se ishte dashuruar me një burrë të martuar.
“Ndodhi që u dashurova, me njeriun, atëherë, të gabuar për të gjithë shoqërinë shqiptare. Ishte i martuar”,-është shprehur Estela, e cila ka treguar se martesa e mëparshme e partnerit kishte përfunduar.
Blogerja ka shtuar se kjo zgjedhje e saj ishte fundi i botës për prindërit dhe ata nuk mund ta pranonin.
“Për ta ishte fundi i botës. Sigurisht që i dhanë zgjidhjen më të gabuar të mundshme. Gjetën një burrë tjetër. Sigurisht që pati edhe momente dhune; unë i kam falur dhe i dua njësoj se e di që thellë-thellë për të mirën time janë munduar, pavarësisht se forma ishte e gabuar. Duhet të më kishin dëgjuar, siç dëgjoj unë vajzat e mia”,-ka thënë Estela.
Estela e ka mbyllur fjalimin, duke treguar se zgjedhja e saj, rezultoi e drejtë, sepse ata vazhdojnë të jenë të martuar dhe e duan akoma dhe më shumë njëri-tjetrin.
“Sot, zgjedhja ime, në dukje e gabuar, është babai i tre vajzave të mia, ai me të cilin kam ndërtuar jetën. E dua dhe vazhdon të më dojë njësoj. Nuk është ai monstra që mendonin prindërit e mi”,-ka përfunduar Estela.