Capital T publikoi ditën e djeshme videoklipin e këngës "Sytë e tu". Një këngë ritmike dhe një videoklip shumë veror i xhiruar në bregdetin shqiptar. Ajo që ra në sy ishin pa dyshim skenat e nxehta të këngëtarit me ish-banoren e Big Brother, Françeska Jaçe. Por diçka tjetër nxiti kureshtjen e njerëzve dhe komentet për të ditur se çfarë ishte detaji i çuditshëm që shfaqej në klip, ishin të shumta. Bëhet fjalë për një anije të mbytur në detin e Sarandës, e cila shfaqet qartë edhe në pamjet e videoklipit "Sytë e tu".
Në fakt, kjo pamje nuk është edhe aq e mistershme për ata që kanë qenë të vëmendshëm, pasi kjo gjë u diskutua shumë vetëm pak javë më parë. Në fillim të muajit të kaluar një fotografi e shkrepur nga Fation Plaku qarkulloi dhe u përfol në media. Bëhet fjalë për një anije të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, të mbytur në Gjirin e Sarandës.
"Anija italiane SS Probitas e Luftës së Dytë Botërore e mbytur në Gjirin e Sarandës. Anija, sipas dëshmitarëve okularë të moshës së tretë në qytetin bregdetar, u bombardua në tetorin e largët të 1943-shit nga gjuajtësit gjermanë, në përpjekje për të kryer misionin e tërheqjes së ushtarëve dhe oficerëve pas kapitullimit të Italisë së Musolinit. Sarandë, Albania", -ka shkruar Plaku në Facebook, përkrah fotos së shkrepur nga ai.
Pra misteri u zgjidh!