Për disa sezone me radhë në verë, Tv Klan risolli një pjesë prej programeve të tij më të ndjekura në vite. "La La La" ishte një përmbledhje spektaklesh e emisionesh rinore, të cilat organizoheshin më së shumti gjatë stinës së nxehtë dhe mbërthenin pas ekranit të gjithë publikun.

Blogerja e njohur Estela Ujka, një prej moderatoreve të "Net vere" në Tv Klan, ishte një prej prezantueseve që nuk kaloi pa vëmendje. Megjithëse rruga e saj në ekran nuk qe e gjatë, Estela sërish mbeti e lidhur fort me publikun dhe ruajti me të një komunikim të hapur e të vazhdueshëm.

Sot, 20 vjet më pas, kur Estela është nënë e tri vajzave dhe një prej njerëzve influencues në rrjet, jo vetëm të modës, por edhe të mënyrës së jetesës, sjell për miqtë e saj virtualë, me nostalgji, kohën kur fotot nuk publikoheshin as me filtra dhe as me photoshop.

Më shumë sesa për të treguar formën fizike perfekte, Estela vë në dukje sidomos ato foto të pastra në kohën kur nuk kishte aplikacione për të krijuar imazhin perfekt, si sot.

Pavarësisht disa kileve të shtuara gjatë viteve, Estela ka ruajtur të njëjtën buzëqeshje dhe ëmbëlsi si edhe të 20 viteve më parë.