Zërin e tij e njohim shumë mirë dhe është i pangatërrueshëm! Një zë i fuqishëm që e ka ndihmuar të çajë në botën e medias që në fillimet e tij. Eni Shehu nuk është një emër i ri në median shqiptare, pasi jemi prezantuar me të që kur ishte adoleshent.
Të rinjtë e fillimit të viteve 2000 e mbajnë mend shumë mirë një djalosh “cool” që prezantonte një emison rinor dhe shumë trendy, siç ishte “Select” në ato kohëra. I inkurajuar nga shoqëria Eni u bë pjesë e audicioneve dhe më pas u përzgjodh për të qenë drejtues i emisionit “Select”. Me veshje të gjera, një tip moskokçarës, me një stil flokësh të çuditshëm, por shumë në modë për kohën, Eni u kthye në një personazh jo pak të njohur duke qenë se drejtonte një ndër emisionet më të pëlqyera nga të rinjtë. Siç tregon ai, dashuria e tij e vërtetë ishte radioja dhe televizionin e pa më shumë si një mundësi për të mbërritur tek ajo. Kështu ndodhi, ai ishte i suksesshëm edhe në radio dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe me një zë aq potent që përçon vetëbesim te dëgjuesit dhe që e bëri Enin të zinte vend në radio, dashurinë e tij të parë. Ai u bë pjesë e “Kërko Shqip”, një emision radiofonik që ishte ndër të vetmet mundësi argëtimi atëherë. Zëri që shoqëronte të gjithë në shtëpi, në punë, në makinë e kudo ku ndodheshin, ishte pikërisht ai i Enit, i cili u kthye në idhullin e adoleshentëve të asaj kohe.
Jo të paktë ishin ata që u fiksuan me zërin e tij, aq sa i shkruanin letra e mesazhe përditë. Nuk është çudi, pasi ai ishte një djalosh trendy, i shkathët e orator që drejtonte një prej emisoneve më të famshëm të asaj kohe, kur radioja ishte në periudhën e artë të lulëzimit.
Edhe pse ka eksperimentuar në të gjitha fushat e medias, radioja për të mbetet një pasion i madh dhe i pazëvendësueshëm nga asgjë tjetër. Siç thotë ai “është një përjetim i magjishëm”! Megjithatë televizioni, po ashtu, ka qenë një pjesë e rëndësishme dhe prej shumë kohësh e kemi parë Enin në “Edicionin Veror”, ku sapo vjen vera ai niset ne jug për të intervistuar personazhet e njohur, në plazh jashtë kornizave që jemi mësuar t`i shohim zakonisht. Edhe pse kohët e fundit, ai ka marrë një pauzë nga televizoni dhe po përqëndrohet në të tjera projekte, siç është për shembull aktrimi!
Shumë pak njerëz mund ta dinë, por Eni ka studiuar aktrim para se rrugët t`i kryqëzoheshin me gazetarinë. Një tjetër fushë ku ai shkëlqeu dhe dalloi menjëherë. Sapo përfundoi Akademinë e Arteve, Eni Shehu mundi të rrëmbente çmimin e aktorit më të mirë, në rolin e tij të parë. Një arritje e madhe për dikë që sapo ishte diplomuar! Ashtu siç e ka nisur dhe me po të njëjtin pasion ai vazhdon të shënojë suksese në fushën e aktrimit, siç ishte edhe roli protagonist ne filmin "Ndërkombëtarët".
Së fundmi, Enin po e shohim çdo javë në “Love Likes Tirana”, ku interpreton rolin e një avokati të pasur, të quajtur Klajdi. Një rol me të cilin dashur pa dashur është lidhur shumë, pasi njerëzit në rrugë kanë filluar ta thërrasin Klajdi. Një eksperiencë që e ka rikthyer në qendër të vëmendjes së njerëzve.
Pavarësisht, moshës së re, ai ka një karrierë të gjatë dhe eksperienca të shumta, si në Tv, radio, shtypin e shkruar, por edhe në aktrim. Një njeri i gatshëm për të provuar gjëra të reja dhe për të eksperimentuar në çdo fushë, e që duhet thënë se ka rezultuar gjithmonë i suksesshëm. Në këtë intervistë ekskluzive për revistën Class, Eni Shehu vjen në një rrëfim ndryshe lidhur me karrierën e tij dhe me synimet, që ai i ka të qarta!
Në fillimet e karrierës tënde ke prezantuar Top Select. Do të riktheheshe edhe një herë në një format të tillë?
"Çfarë është e shkuar, është e shkuar" -thonë amerikanët. Pastaj "Select" me muzikë dhe të ftuar ishte shumë rinor. Të rinjtë e sotëm janë më të përshtatshëm sesa unë në atë format. Unë kam interesa të tjerë.
Midis televizionit, radios dhe shtypit të shkruar cilin do të zgjidhje?
Radio mbetet pasion i pazëvendësueshëm. Kujtoj emocionet gjatë transmetimit dhe zërin tënd që të vjen në vesh... është një përjetim i magjishëm! Shtypin e shkruar e kam bërë për një kohë jo shumë të gjatë, është i guximshëm! Të duhet shumë informacion dhe saktësi. Besoj se në Shqipëri, 'lajmi' është në krizë. Kurse nga televizioni sapo kam marrë një pauzë (qesh).
Të vjen keq që radio nuk është më aq e fuqishme sa ka qenë dikur?
Vetëm në Shqipëri radio nuk mundi dot të integrohet dhe evolojë me teknologjinë. Jashtë njerëzit vazhdojnë të ndërveprojnë me radion, e dëgjojnë kryesisht në makinë. Studiot e emisioneve i kanë përshtatur dhe mund t'i ndjekësh dhe në media sociale apo Tv, por ana vizive dhe formati mbetet radiofonik. Intervistat bëhen me lidhje në Skype dhe s'është e thënë që të ftuarin ta kesh në studio. Për fat të keq, këtu te ne, me sa duket, radio është lënë pas dore...
Ke studiuar aktrim. Çfarë ndodhi që iu përkushtove më shumë gazetarisë?
Me gazetarinë jam takuar "aksidentalisht". Direkt pasi përfundova Akademinë e Arteve mora pjesë në Festivalin Teatror që mbahej atë kohë në Teatrin Kombëtar (2012). Ishte roli im i parë në skenën-ëndërr të çdo aktori, karakter shumë kompleks, sfidues. Ndodhi që shfaqja u prit jashtëzakonisht mirë, madje unë si protagonist (Kaligula) fitova çmimin e aktorit më të mirë. Imagjinoni ngazëllimin e një të sapodiplomuari, i cili "shikon dritë në fund të tunelit", pasi i kanë thënë katër vite rresht: "Ç'e do aktrimin"...! Shto këtu dhe që sot e kësaj dite, akoma nuk e di kush ishin ata që ma dhanë atë çmim, kush ishte pjesë e jurisë që më vlerësoi. Krejt si në ëndrra fillova të besoj te pasioni për të cilin kisha investuar.
Por, nuk zgjati shumë, pasi menjëherë erdhi zhgënjimi që më largoi papritur nga dashuria që po lindte. Teatri gjithnjë ka qenë temë debatesh për mënyrën se si drejtohej, kush dhe si i merrte rolet. Por atë kohë u hap fjala se çdo aktor do të zgjidhej me audicion, u bë reklamë e madhe. Me shumë dëshirë u paraqita në audicion për një shfaqje ku kërkoheshin dy djem. Që pa hyrë, teksa prisnim në radhë, nëpër korridore fliteshin dy emra që do të “fitonin". Megjithatë unë u paraqita duke dashur të besoj të kundërtën, se mund t'ia ndryshoja mendjen grupit përzgjedhës. Ndodhi fije për pè siç dëgjova mes aktorëve dhe kjo nuk ishte shumë shpresëdhënëse për mua. Te nesërmen kërkova të takoja drejtuesin e sapoemëruar të Abc Neës, Armand Shkullakun, të cilin as nuk e njihja. Me të, nisa gazetarinë nga A-ja.
Më mirë të bësh intervista apo të intervistohesh?
Nuk është e lehtë në të dyja rastet. Si gazetar kam vuajtur pak se kam dashur gjithnjë të sjell personazhe të pakonsumuar, të freskët, pa llogaritur sa "shet". E rëndësishme për mua ishte të sillja profilin e tyre, atë që mua më kishte ngacmuar. Për veten është kënaqësi të flasësh vetëm në rastet kur ke arritur diçka, ke ngjallur kuriozitet, kur njerëzit duan të dinë më shumë nga puna jote, prapaskenat.
Ka qenë e thjeshtë për ty të futesh në botën e televizionit? Ishte diçka që e ëndërroje apo erdhi spontanisht?
Në televizion u gjenda pas një audicioni në vitin 2003, në Top Channel. Atë kohë kërkonin të rinjtë "tipa" të Tiranës për të prezantuar Top Select-in. Shoqëria ime më ka inkurajuar. Të them të drejtën unë ëndërroja Top Albania Radion dhe m`u duk mundësi shumë e mirë për t'u futur në Tv, që më pas të kaloja në radio. Fillimi ka qenë shumë i bukur!
Ka shumë konkurrencë në media, ashtu siç thuhet? Domethënë, ti ke hasur shumë konkurrencë?
Media është një ambient i egër, që të përpin. Duhet të kesh nerva të forta ose lidhjet e duhura që të mbijetosh. Shumë rrallë diskutohet talenti apo merita. Kam qenë shumë me fat në këtë aspekt.
Një aktor dhe një prezantues që kanë shërbyer si model frymëzimi për ty?
Hollywood-i dhe formatet amerikane të të bërit televizion më kanë karikuar gjithnjë.
Një eksperiencë që të ka rritur profesionalisht dhe që e vlerëson si më të rëndësishmen për ty?
Roli protagonist ne filmin "Ndërkombëtarët". Eksplorova veten, përjetova një përvojë të vërtetë filmike me një staf dhe kast profesionistësh. U ndjeva shumë mirë!
Është e vështirë të punosh me personazhe të famshëm?
Do preferoja njerëzit e thjeshtë, janë më realë.
Personazhi më i vështirë që ke intervistuar?
Në fakt gjatë punës time si gazetar, personazhet kanë qenë përgjithësisht bashkëpunues. Përveç Dua Lipës që bënte si VIP-e, edhe pse kishim ekskluzivitetin e mbulimit mediatik të festivalit të saj në Prishtinë, mezi m`i tha dy llafe!
Me cilën nga prezantueset shqiptare do të bashkëpunoje me qejf për një program në radio ose Tv?
Më është mbushur mendja që së bashku me time motër, e cila drejton emisionin e mëngjesit në RTSH, mund të nxirrnim diçka të lezetshme. Blerina, nëse po më lexon, si thua?! (qesh)
Merr shpesh kritika? Një kritikë që të kanë bërë dhe ka ndikuar shumë te ty?
Kritikët më të sinqertë, por dhe më strikt njëkohësisht kam ata të shtëpisë. Nuk është se reflektoj direkt për kritikat, por kur kthej kokën pas, shikoj që jam përmirësuar pikërisht në ato detaje që ata kanë shprehur.
Si u bëre pjesë e “Love Likes Tirana” dhe e prisje që seriali të kishte këtë sukses?
Me Dalina Buzin kemi një jetë që njihemi nga ambienti i medias. E kam ndjekur punën e saj dhe më ka frymëzuar, por asnjëherë s'na kishte rënë rasti të bashkëpunonim. Ajo, si skenariste, më shihte dhe s'më shihte te Klajdi. U desh një provë në zyrën e saj, në çift së bashku me Zoin, që përfundimisht të vendoste. Suksesin e #LLT e mendoja për vetë faktin se është risi, por asnjëherë që të ngjallte kaq shumë reagime saqë njerëzit të mos përmbahen as kur më ndeshin nëpër rrugë (qesh).
Si është marrëdhënia jote me aktorët e serialit? Je pak më i afërt me dikë në veçanti?
Shumë e mirë. Ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm dhe nuk kemi patur shumë kohë të lirë.
Si ndihesh kur njerëzit të thërrasin Klajdi?
Në fillim më çudiste. Kisha që në kohën e "Top Select" pa e përjetuar këtë vëmendje. Më vjen mirë që Klajdi është ngulitur si personazh, do të thotë që kam bërë punë të mirë.
Ku ngjan Eni me Klajdin dhe për çfarë s`kanë aspak lidhje me njëri-tjetrin?
Jemi të dy "workaholic" - të dhënë pas karrierës. Unë s'jam aq i pasur sa Klajdi, ndoshta do duhej të isha bërë avokat. (qesh)
Je besnik në një marrëdhënie apo ke tradhtuar edhe ti si Klajdi?
Jam besnik!
Një gjë që publiku nuk e di për ty?
Kam ndërmend të provoj në Hollywood!
Credits:
Fotografe: Orsola Mema
Veshjet: Rogers Tirana
Location: Studio Ligjore K&A
Design: Xhesika Berisha