Aktorja e famshme turke, Merve Bolugur, është kërcënuar me publikimin e fotove dhe videove të saj private nga një numër ende i paidentifikuar.
Bolugur, e njohur për rolet e Zejnep në serialin “Kuzey Guney” dhe Nurbanu Sultan në serialin “Sulejmani i Madhërishëm”, ka marrë një mesazh kërcënues në telefonin e saj, pas të cilit ka lajmëruar menjëherë policinë.
“Kemi fotot dhe videot e tua. Paratë, ose more fund” është mesazhi që ka tronditur aktoren. Me sa duket, i është bërë e qartë se nëse nuk paguan, fotot e saj do të shpërndahen në rrjetet sociale.
Sipas mediave turke, 31-vjeçarja ka nxituar për në polici, ku ka denoncuar shantazhuesin. Nga hetimet paraprake, rezulton se numri nga i cili ishte bërë kërcënimi, ishte i regjistruar jashtë vendit. Prokuroria e Stambollit ka nisur një hetim të plotë për zbulimin e autorit dhe vënien e tij para përgjegjësisë.