Nuk është hera e parë që në portale e media të ndryshme shqiptare publikohen lajme të pakonfirmuara e të pabazuara në të vërtetën. Megjithëse shpesheherë shkelen parimet bazë të gazetarisë mbi vërtetësinë e një lajmi, duket se furia e portaleve, numri i lartë i tyre, shpejtësia dhe mania për të fituar sa më shumë klikime në një kohë të shkurtër, bëjnë që në shumë raste të përballen me ligjin në gjykatë.
“Viktimë” e portaleve orët e fundit ka rënë edhe Rea Xhillari, vajza e Linda Ramës, për të cilën është aluduar se bashkëjeton me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakajt. Lajmi “i bujshëm” u përhap shumë shpejt në rrjet dhe u bë viral, por të gjitha portalet që e publikuan do të përballen me drejtësinë.
Gjithçka është publikuar është një tymnajë që ka bërë vetë Rean të reagojë publikisht për këtë shpifje dhe të dërgojë drejt gjykatës të gjithë autorët që guxuan të shkruajnë një të pavërtetë. Kështu, në një reagim publik, të siguruar nga “Shqiptarja.com”, thuhet se lajmi i rremë ishte një sulm denigrues mbi bazën e një shpifjeje. Rea thekson se nuk e ka takuar asnjëherë ministrin.
“I vetmi fill lidhës mes meje dhe botës së shpifjeve, mediokritetit dhe imoralitetit intelektual ku noton ky soj të paditurish solidarë, është fakti se jam vajza e Linda Ramës, e cila, nga ana e saj, vetëm për shkak se është gruaja e Edi Ramës, është vënë në shenjestër, goditur, përbaltur nga i njëjti soj, me të njëjtat mjete denigruese të botës së tyre të ulët. Sajimi i një lidhjeje të paqenë mes dy te rinjsh për të luftuar politikisht me prindin e njërit prej tyre, është një perversitet i pashoq që s’ka asnjë lidhje me këtë sistem. Unë nuk kam asnjë armë tjetër për t’u mbrojtur nga pasojat e këtij perversiteti, përveçse duke iu drejtuar drejtësisë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e saj.
Arsyetimi i plotë i Rea Xhillarit:
Jam detyruar të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të sajuar e të orkestruar ndaj meje, nga portale e individë për të cilët mësova se në gjuhën ligjore quhen “të paditurit solidarë”. Ky sulm i mirëlltë denigrues mbi bazën e një shpifjeje, e ka fillesën në mesin e muajit janar 2019, kur jam vënë në shenjestër prej të paditurve solidarë. Ata apo më saktë, fillimisht Artur Zheji pastaj të tjerët, kanë sajuar dhe përhapur lajmin e rremë, të shoqëruar me komente të turpshme, mbi një lidhje intime apo bashkëshortore timen me Z. Gent Cakaj, Zv. Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme – person të cilin as e njoh personalisht dhe as e kam takuar kurrë ndonjëherë, qoftë edhe rastësisht. Nuk i njoh as i kuptoj motivet që kanë shtyrë Artur Zhejin, një person në moshë goxha madhore, aq sa mund të ishte prindi im, të më sulmojë kaq ligësisht e paturpësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Unë nuk merrem me politikë, nuk punoj dhe as kam punuar kurrë për shtetin. Respektoj çdo ligj dhe çdo detyrim si qytetare e vendit tim. Nuk kam përfituar kurrë prej shtetit asnjë privilegj apo favor çfarëdo lloji.
I vetmi fill lidhës mes meje dhe botës së shpifjeve, mediokritetit dhe imoralitetit intelektual ku noton ky soj të paditurish solidarë, është fakti se jam vajza e Linda Ramës, e cila nga ana e saj, vetëm për shkak se është gruaja e Edi Ramës, është vënë në shenjestër, goditur, përbaltur nga i njëjti soj, me të njëjtat mjete denigruese të botës së tyre të ulët.
Në fakt, as nëna ime nuk ka përfituar kurrë ndonjë favor nga të qenit gruaja e kryeministrit. Jeta e saj vazhdon e njëjtë, pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë ose jo, materiale apo financiare me shtetin. Profili i saj është një model shembullor i një jete pa privilegje, me një përditshmëri të pandryshuar dhe të lidhur ngushtë me punën e saj, të cilën e kryen me profesionalizëm e pasion prej 30 vitesh, pavarësisht se i shoqi është prej afër 6 vjetësh Kryeministër i Shqipërisë. Shpifjet kanë arritur deri tek im atë, Thanas Xhillari, profesor i mirënjohur i algjebrës përgjatë gjithë karrierës së tij profesionale në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, i cili gjithashtu respekton çdo ligj dhe çdo detyrim si çdo qytetar i këtij vendi. Për interesat politike të atyre që kërkojnë t’i hedhin hije të shkuarës së nënës sime për të shtuar përbaltjen ndaj të shoqit, edhe im atë u përfshi prej të paditurve solidarë, përmes disa pseudoakuzave, në një tjetër maskaradë mediatike. Ai u ballafaqua edhe me një proces të gjatë hetimi nga prokuroria, ku e tërë balta e hedhur mbi të u tret në lumin e fakteve kokëforta që dolën nga hetimi i provimeve të algjebrës, të disa pseudostudentëve që s’kishin marrë dot provimin. Ashtu si nëna ime, babai im është gjithashtu një model shembullor i mungesës së kompromiseve që mund të dëmtojnë profesionin e tij të cilin e kryen me pasion e përpikmëri prej 40 vitesh. Këto modele të cilat janë edhe udhërrëfyesi im në rrugëtimin e jetës, si duket janë të papërfytyrueshme, të pabesueshme dhe të papranueshme për sojin e të paditurve solidarë. E vërteta për ta nuk ka asnjë rëndësi, ndërsa interesat e tyre mesa duket justikojnë çdo mjet sado të ulët. Por e vërteta mund të vonojë, po nuk harron asnjëherë, megjithëse kur ajo del mbi llumin e të paditurve solidarë këta të fundit refuzojnë ta ndajnë atë me publikun.
“Fenomeni i nepotizmit godet ashpër qeverinë Rama 2 në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. Në rrjetet sociale, dhe disa portale kohët e fundit po flitet gjithnjë e shumë se vajza e gruas së Kryeministrit Rama, Linda Ramës, Rea dhe Ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme-Genti Cakaj, janë në “bashkëjetesë” si i thonë në Shqipëri këtij lloj trendi… Madje, ka edhe dyshime se Ilir Meta-mund të kishte marr informacion nga shërbimet sekrete të sigurisë kombetare të Shqipërisë për këtë lidhje “dashurie” mes Genti Cakaj dhe Rea Xhillarit”… Kjo është një copëz e nxjerrë nga moria e paragrafëve trillues, të shkruar gjatë këtyre ditëve me një gjuhë të lemeritshme në çdo drejtim, të cilët kam qenë e detyruar t’i lexoj dhe koleksionoj për gjyqin me këtë soj të paftuarish në jetën time. Unë kam lindur në vitin e ndryshimit të sistemeve dhe nuk e kam njohur përveçse nga tregimet e gjyshërve, prindërve, mësuesve apo dhe nga leximet e rastit, barbarinë e regjimit komunist deri në fisin dhe farën e kundërshtarit politik. Nuk dua të bëj krahasime që çalojnë me një kohë kur edhe lidhjet e dashurisë, bëheshin shkak për pushkatime, internime apo denigrime publike vajzash. Nuk e di nëse në atë kohë sajoheshin për qëllime politike, deri edhe lidhje të paqena mes njerëzish krejt të panjohur për njëri-tjetrin. Por ajo që di me siguri është se shtrirja e kthetrave të dhunës verbale dhe presionit psikologjik të këtij soji, brez pas brezi, deri tek fëmijët e kujt konsiderohet kundërshtar politik, është shprehje e të njëjtës ligësi kriminale që karakterizon çdo sistem padrejtësie. Në sistemin që lindi bashkë me brezin tim, personi është privat dhe jo pronë e shoqërisë. Në sistemin që lindi bashkë me brezin tim, gjëja e parë që mëson është se liria jote mbaron aty ku llon liria e tjetrit. Sajimi i një lidhjeje të paqenë mes dy te rinjsh për të luftuar politikisht me prindin e njërit prej tyre, është një perversitet i pashoq që s’ka asnjë lidhje me këtë sistem. Unë nuk kam asnjë armë tjetër për t’u mbrojtur nga pasojat e këtij perversiteti, përveçse duke iu drejtuar drejtësisë./ Shqiptarja.com/