Ditët e javës fluturuan dhe çasti i ritakimit tonë me sugjerimin e fundjavës për librin në ''Një tufë rrezesh nëpër RE'' mbërriti. Mes një jave të ngarkuar, oazi i prehjes pergjatë mbrëmjeve ishte libri më i ri i autorit të pazakontë Albatros Rexhaj, ''Kthimi''.

 Ky libër është kthyer në kryefjalën e rrjeteve sociale, mediave, bisedave dhe diskutimeve dhe buja, e cila e shoqeroi ne Panairin e Librit në Prishtinë, ku edhe u prezantua për herë të parë, bëri që të shpallej si libri më i shitur.

Të flasësh për filozofinë urbane, stilin dhe librat e Albatrosit nuk është e lehtë, megjithatë e vetmja fjalë që mund t’i përmbledhë të gjitha është ‘’rebel e pakorniza’’. Pikërisht, ky binom i pandashëm i autorit dhe krijimtarisë së tij është çelësi i suksesit dhe fakti që njerëzit e ndjekin me kërshëri.

Libri ‘’Kthimi’’ konsiderohet nga autori si libri më personal i tij, por jo autobiografik. Ndërsa unë mendoj se tanimë lexuesi besnik i tij, e di se çfarë pret dhe në përgjithësi e ka mësuar filozofinë e tij, pra nuk merr nje frymëmarrje të panjohur më parë. Titulli është kuptimplotë, si kthimi nga largimi i tij që prej ‘’Zonja Z’; kthimi për pak kohë në jetën publike; kthimi i së vërtetës pa fshehje dhe zbukurime të panevojshme dhe kthimi i autorit të dashurisë.

Ky libër  përbëhet nga dy romane të titulluar ‘’Qyteti B’’ dhe ‘’Kthimi’’. Mënyra sesi autori ka gjetur rrugëdaljen për te shprehja e mendimeve të tij është vërtetë e vecantë. Gjithcka zhvillohet në një takim me lexuesit dhe pyetjet e tyre dhe përgjigjet e shkrimtarit bëjnë që të shënjojnë pikë të vecanta të jetës së gjithësecilit. Temat janë kaq të prekshme dhe të vërteta, sa që dyshoj se lexuesi nuk e gjen veten teksa lexon librin. Ajo që më bën përshtypje është kundërshtia e herë pas herëshmë, në mendimet e shkrimtarit me të tjerët, por kjo më bën të mikpres veçantinë e tij dhe origjinalitetin. Ndërsa ‘’Qyteti B’’ nderthuret me disa krijime poetike jashtëzakonisht të veçanta dhe të bukura, ‘’Kthimi’’ mbyllet me një letër, të cilën duke ndjekur Albatrosin mund ta konsideroj si një nga ‘’letrat e lamtumirës’’, të cilat premtoi të shkruajë së shpejti.

Me librin ‘’Kthimi’’ vërtetova dhe një herë se të jesh i vërtetë dhe vetja, pa shumë përpjekje dhe kokëçarje për atë që do mendojnë të tjerët, të fal qetësi. Gjithashtu, të endesh i lire, pa u kujdesur për interesin, dashuritë e rreme, shtirjen dhe hipokrizinë, në një botë të lidhur me zinxhirët e padijes dhe mendësisë së mbyllur është një nga format që mund të të dhurojë grimca lumturie. Njëkohësisht, të lejosh veten të gabojë, të mos kontrollosh emocionet, të shprehësh dhimbjen, inatin, dashurinë, pavarësisht imazhit që do krijosh të të tjeret është një nga lehtësitë më të mëdha që mund t’i falësh vetes, për të jetuar në mos i lumtur, në paqe e ta pranosh veten pa shumë ndërlikime.

 

Në përfundim, mesazhet qe libri dhuron për temat universale, të cilat janë dhe më të rëndësishmet në jetët tona drejtojnë për te pranimi i vetes, pa komplekse, me të gjitha të metat dhe gabimet. Pikërisht mënyra e tij e të shkruarit pa rregulla, pa dashur të mbajë ekuilibra, pa dashur t’i pëlqejë askujt, pa gënjyer e pa u shtirur më bën ta lexoj e ta rilexoj e të mos harroj këshillën që më ka dhënë: ‘’ Përpara se të ulesh e të shkruash, mos e censuro kurrë veten e mos u shqetëso se çfarë do mendojnë të tjerët për ty, pasi të kenë lexuar krijimin tënd.’’

 

Ju ftoj në leximin e librit, i cili do ju bëjë të mendoni gjatë  e të çliroheni teksa do kujtoni çdo çast dhimbje dhe lumutrie bashkë me të.

#rrembelibrin ‘’Kthimi’’ shkruar nga Albatros Rexhaj.

 

Rilexohemi javën e ardhshme,

|Një tufë rrezesh nëpër RE