Megjithë kapriçot e motit, të gjithë biem dakord në një pikë: Stina e ngrohtë është këtu! Është një kohë kaq e adhurueshme, ku veshjet e trasha e të ngrohta, ja lënë vendin atyre më të lehtave, ku dielli të përkëdhel fytyrën që herët në mëngjes, e dita merr tjetër dimension duke u zgjatur e duke i dhënë më shumë mundësi të gjithëve për të bërë gjërat e dëshiruara.
E keni vërë re besoj, se njerëzit sikur kanë një buzëqeshje diellore! Ndeshesh kudo me portretet e gëzueshme të personave me të cilët të lidh jo vetëm angazhimi profesional, por edhe ai privat. Me pak fjalë, të gjithë e duam motin e ngrohtë, pa kushte!
Por, nëse ka një motiv të fortë që qëndron mbi gjithçka, është ai i dëshirës për të rivitalizuar organizmin dhe trupin, pikërisht në këtë stinë. Sepse ky proces nxit që çdo qelizë e jona të gjenerohet për të inkurajuar kësisoj një rigjenerim total fizik dhe mental. Kjo edhe për faktin, se vijmë pas një stine ku abuzimet me ushqimet, jeta sedentare, shpesh mungesa e një aktiviteti fizik në natyrë, i cili kushtëzohet nga kushtet atmosferike, janë faktorë pengues që na bëjnë të biem pre e një stili jetese të çrregullt. Atëherë, të gjithë sytë nga Detoxi? Ilaçi i fizikut dhe mendjes suaj!
Detoksifimi nuk konsiston vetëm në zgjedhjen e një stili jete të kujdesshëm, por edhe një detox dixhital, ku unë heq dorë nga telefoni dhe kompjuteri për pak orë, por kjo nuk zgjat shumë për shkak të natyrës së punës që kam.
Gjithçka vjen si frymëzim nga guruja japonez i stilit minimalist të jetesës, Marie Kondo, motoja e së cilës është "çdo gjë që prek duhet të nxisë gëzim". Kjo do të thotë se një grumbull letrash, një pako me veshje të vjetra, ilaçet për dhimbje koke, apo sende të tjera të dala jashtë funksionit, të përfundojnë direkt në koshin e plehrave. Së bashkë le ti japim një tjetër hov procesit të detoksifikimit dhe më besoni që kjo nuk bëhet nga shtëpia, siç këshillon aktorja Gweneth Paltrow, e cila thotë se mjafton një gotë me lëng panxhari, një pjatë spageti me kungull të njomë dhe ky është detoxi perfekt.
Dy qendrat më të mira të Detox-it në botë, Wellness Sha në Spanjë dhe Espace Henri Chenot në Itali kombinojnë terapistët më të mirë, shkencën dhe mjekësinë krahas luksit, ku për të realizuar në mënyrë perfekte një javë detox ata të tregojnë kuptimin e vërtetë të një regjimi ushqimor selektiv dhe një pushimi të jashtëzakonshëm.
Henri Chenot, mjeku frymëzues francez i vë theksin sistemit të mjekësisë kineze, e cila alternon ndryshimin e nevojave dhe organizmit tonë sipas stinëve, ku mbizotërimi i emocioneve është ose faktor pengues, ose zhvillues tek gjithsecili prej nesh.
Ajri i pastër, shëtitja, noti dhe gjithçka në funksion të një stili jetese detoksifikues që në këtë stinë janë ideale për të gjithë ju. Çfarë prisni?