18-vjeçarja nga Elbasani, Trejsi Sejdini, është shpallur mbrëmjen e sotme Miss Universe Albania 2018. Pas një gare të fortë që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, mes 23 vajzave të përzgjedhura, Trejsi ia doli që në fund të shpallet vajza më e bukur që do të përfaqësojë Shqipërinë në kompeticionin ndërkombëtar të Miss Universe.

Mes tre finalisteve të mbetura deri në fund të garës, shoqëruesja e parë e Miss Universe u përzgjodh Ajli Hoxhaj, ndërsa shoqëruesja e dytë Irene Dama.

 

Spektakli, një event i rëndësishëm me shumë të ftuar, u transmetua live në Vizion Plus dhe KTV. Miss Universe ishte një ndërthurje mes konkursit tradicional të bukurisë dhe performancave të disa prej artistëve të njohur të showbiz-it shqiptar.

 

Pjesëmarrja e veçantë e Aurela Gaçes, këngëtarit dhe producentit të njohur shqiptar; Claydee Lupa, si edhe e këngëtarëve Çiljeta Xhilaga dhe Ylli Limani u harmonizua me bukurinë dhe hijeshinë e vajzave konkurrente gjatë gjithë mbrëmjes.

Miss Universe Albania do të prezantojë Shqipërinë në konkursin e 68-të, me 500 milionë shikues, Miss Universe, live në FOX News.